Spiropali thirrje Iranit: Ndaloni aktivitetin bërthamor sipas ligjeve ndërkombëtare

Kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, mbajti fjalën e rastit në Samitin Parlamentar të NATO-s në Bruksel ndërsa u ndal në zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, luftën në Ukrainë, dhe pozicionin e Shqipërisë në Aleancë.

Duke iu drejtuar asamblesë në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Spiropali shprehu shqetësimin mbi situatën e tensionuar midis Izraelit dhe Iranit, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rrezikshëm dhe të tepërt.

Ajo i bëri një thirrje të fortë Iranit për të ndërprerë aktivitetet bërthamore dhe të raketave balistike, duke vepruar në përputhje me detyrimet ndërkombëtare, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.

“Shqipëria i bën thirrje Iranit të ndërpresë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike dhe të veprojë në përputhje me detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore”, theksoi ajo.

Sa i përket luftës në Ukrainë, Spiropali dënoi agresionin e paprovokuar të Rusisë, që sipas saj minon themelet e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

“Ne, si parlamentarë, demokratë dhe aleatë, nuk mundemi dhe nuk duhet të qëndrojmë vëzhgues pasivë. Shqipëria ka dënuar këtë agresion dhe i është bashkuar masave të NATO-s dhe BE-së në solidaritet me Ukrainën, përfshirë sanksionet, ndihmën ushtarake dhe mbështetjen humanitare,” tha Spiropali.

Ajo u shpreh se mori pjesë së fundmi në Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore në Odesa, për të shprehur mbështetjen e plotë ndaj Ukrainës dhe për të parë nga afër situatën e vështirë.

Në lidhje me pozicionin e Shqipërisë ndaj NATO-s, Spiropali theksoi se Aleanca mbetet gurthemeli i sigurisë transatlantike dhe shprehje e fuqisë së vlerave të përbashkëta si demokracia, sundimi i ligjit dhe mbrojtja kolektive.

“Shqipëria është krenare që qëndron e vendosur në këtë Aleancë – jo vetëm si anëtare, por si një kontribuese e angazhuar ndaj vizionit dhe misionit të saj”, tha Spiropali.

Ajo theksoi se siguria në shekullin 21-të përfshin sfida hibride, dezinformim, sulme kibernetike dhe përdorimin e energjisë dhe migracionit si armë, ndaj nevojitet një përgjigje gjithëpërfshirëse.

“Parlamentet tona duhet të luajnë rol kryesor në ligjbërje, mbikëqyrje dhe diskurs publik. Në Shqipëri po forcojmë qëndrueshmërinë institucionale, duke investuar në sigurinë kibernetike dhe luftuar narrativat keqdashëse,” deklaroi ajo.

Spiropali theksoi gjithashtu lidhjen mes sigurisë dhe zhvillimit të institucioneve demokratike, të drejtave të njeriut dhe mundësive ekonomike, duke nënvizuar mbështetjen për zgjerimin e NATO-s dhe partneritete në rajone të ndryshme.

“Qeveria jonë ka rritur ndjeshëm buxhetin për mbrojtjen, duke arritur 2% të PBB-së, në përputhje me qëllimin e Aleancës për ndarjen e barrës. Po modernizojmë forcat tona të armatosura dhe infrastruktura kyçe për NATO-n, si transformimi i Bazës Ajrore të Kuçovës, është në fokus,” tha Spiropali.

Në fund, ajo kërkoi vëmendje të veçantë për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se siguria e rajonit është e pandashme nga siguria e Evropës dhe hapësirës më të gjerë të NATO-s.

“I bëjmë thirrje aleatëve dhe partnerëve tanë për angazhim të fuqishëm politik dhe ushtarak në rajonin tonë,” përfundoi Elisa Spiropali.