Sindikata e Pavarur e Gazetarëve: Kërcënimet ndaj gazetarëve në Tetovë nuk ndalen, institucionet janë në lëvizje
Sindikatë e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të mediave konsideron se seria e kërcënimeve që po i ndodhin gazetarëve nga Tetova në periudhën e fundit, dhe që kryesisht janë të motivuara nga shkrimet dhe tekstet ku janë përfshirë persona nga politika, po merr përmasa serioze dhe se është koha e duhur për të reaguar. Bëhet fjalë për forma të ndryshme presioni ndaj kolegëve, të cilëve u është cenuar rëndë siguria, dhe nëse nuk merren masa të duhura, kjo mund të eskalojë dhe të çojë edhe në dhunë ndaj gazetarëve.
Kërcënimet e raportuara tek Sindikata e Gazetarëve nga kolegët nga Tetova janë pjesërisht të hapura, ndërsa disa të tjera janë të fshehta dhe më sofistikuara, por të gjitha janë po aq të rrezikshme. Në fakt, ato janë të vështira për t’u provuar, organet e rendit rrallë reagojnë ndaj tyre, dhe sjellin rrezik nga sulmet dhe pasojat e pakontrollueshme për shëndetin dhe jetën e atyre që ushtrojnë profesion publik dhe kanë rol mbrojtës të interesit publik dhe proceseve demokratike në shtet.
Sindikata e Pavarur e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut është e shqetësuar dhe ka arsye të besojë se kërcënimet, përveçse nga individë të veçantë, janë krijuar edhe si një veprim i koordinuar nga qendra të pushtetit, të cilat në përpjekje për ta heshtur gazetarinë përdorin kërcënime që lehtë dhe shpejt mund të kalojnë në dhunë. Prandaj Sindikata e pavarur e gazetarëve dhe punonjësve të mediave i bën thirrje autoriteteve lokale, njësive rajonale të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe subjekteve politike që të veprojnë parandalueshëm dhe të ndihmojnë në frenimin e dukurisë së shtuar dhe alarmante.
Përfundimi i takimit pune që Sindikata e pati në Tetovë me kolegët gazetarë dhe punonjës mediatikë është se është e nevojshme një kujdes serioz lidhur me kërcënimet dhe presionet ndaj gazetarëve nga ky rajon, veçanërisht duke marrë parasysh faktin që po afrohen zgjedhjet lokale, të cilat natyrisht janë ngjarje që nxisin tensione dhe për të cilat sipas të gjitha të dhënave, rriten sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.