Shteti do të duhet t’u paguajë 85.000 euro avokatëve të Mijallkovit

Rasti “Target” i PSP-së, për përgjimet masive të paligjshme në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (UBK), është vjetërsuar plotësisht që para gati dy vitesh, por faturat për shpenzimet e avokatëve po mbërrijnë tani dhe do të paguhen nga “xhepi” i shtetit.

Konkretisht, çështja është ndërprerë për shkak të parashkrimit absolut të ndjekjes penale të të akuzuarve, si rezultat i ndryshimeve skandaloze në Kodin Penal, me të cilat është ulur dënimi i parashikuar. Kjo do të thotë se kurrë nuk do të ketë epilog juridik për përgjimin e paligjshëm, por megjithatë ka ardhur momenti që të paguhen shpenzimet e mbrojtjes ligjore të të akuzuarve.

Së fundmi janë bërë përllogaritjet e para dhe mjetet do të paguhen nga buxheti i shtetit.

Nga Gjykata Penale kanë sqaruar se janë përllogaritur shpenzimet për procedurën në rastin “Target – Fortesa” dhe se vendimet janë në përgatitje dhe do t’u dorëzohen palëve. Sipas këtyre vendimeve, shuma e përgjithshme është 85.000 euro.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

“Duke pasur parasysh interesin publik për këtë rast, ju informojmë se shpenzimet e përllogaritura sipas vendimeve ende të paformës së prerë janë mbi 5.200.000 denarë”, u përgjigjën nga Gjykata Penale.

Gjithashtu, përveç këtyre shpenzimeve, në të ardhmen shteti do të duhet të dëmshpërblejë edhe viktimat e përgjimit. Po të ishin shpallur fajtorë të akuzuarit, dëmet do të duhej të paguheshin nga ata vetë, por tani gjithçka do të paguhet nga shteti.

Ndryshe, me aktgjykimin e parë për përgjimin e paligjshëm masiv në rastin “Target”, të akuzuarve u ishin shqiptuar gjithsej 55 vite burg, prej të cilave 12 vjet për ish-shefin e UBK-së, Sasho Mijallkov, për veprat penale “organizim kriminal”, “keqpërdorim i pozitës dhe autorizimeve zyrtare” dhe “marrje të shpërblimit për ndikim të paligjshëm”. Por në vend të drejtësisë së shpejtë nga Apeli, ishte gjyqtari Enver Bexheti ai që kontribuoi në vjetërsimin, duke e mbajtur rastin në sirtar për nëntë muaj para se Apeli të vendoste ta shfuqizojë aktgjykimin dhe ta kthejë çështjen në rigjykim. Kur çështja u kthye në Gjykatën Penale, gjykimi filloi nga e para, por pas disa muajsh u konstatua vjetërsimi – i shkaktuar drejtpërdrejt nga ndryshimet ligjore të miratuara ndërkohë.

Sipas aktakuzës fillestare, përmes tre sistemeve për ndjekjen e komunikimeve në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (UBK), në periudhën 2008–2015, janë përgjuar në mënyrë të paligjshme 4.286 numra telefoni për të cilët nuk kishte asnjë urdhër gjyqësor. Përgjimi kishte përfshirë drejtpërdrejt dhe tërthorazi rreth 20.000 qytetarë.