Shpërthim në një fabrikë kimike në Indi, humbin jetën 10 persona

Të paktën 10 persona humbën jetën si pasojë e një shpërthimi dhe zjarrit që u shënua më pas në një fabrikë kimike në Indi, transmeton Anadolu.

Sipas “Press Trust of India” (PTI), shpërthimi ndodhi në një reaktor në një fabrikë kimike në rajonin Pashamylaram në shtetin Telangana.

Zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit u dërguan në vendngjarje pas rënies së zjarrit si pasojë e shpërthimit.

Sipas raportimeve fillestare, 10 persona humbën jetën dhe të paktën 12 punëtorë u plagosën në incidentin në fabrikën e kompanisë “Sigachi Industries”.

Gazeta “Telangana Today” raporton se shumë punonjës mund të kenë mbetur të bllokuar në fabrikë për shkak të shpërthimit.