Shkollat të mos shpërndajnë tekste shkollore të dëmtuara MASH-i do t’i zëvendësojë me të reja para 1 shtatorit
Në vend që shkollat t’u shpërndajnë nxënësve tekste shkollore të dëmtuara dhe të
papërdorshme, duhet t’i paraqesin në sistemin elektronik të Ministrisë së Arsimit dhe
Shkencës dhe ato do të zëvendësohen me të reja para fillimit të vitit të ri shkollor. Për këtë
qëllim janë siguruar mjete buxhetore dhe nuk ka nevojë që ti zhgënjejmë as nxënësit e as
prindërit e tyre, të cilët me të drejtë reagojnë në Ministri se fëmijëte tyre po marrin tekste
shkollore pa kopertina dhe faqe të grisura.
Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, në konferencën e
sotme për media kushtuar prokurimit të teksteve shkollore për nxënësit e shkollave fillore dhe
të mesme për vitin e ri shkollor 2025-2026.
“Kjo sfidë nuk duhet të ekzistojë fare. Çdo shkollë ka komision për tekste shkollore që mund
të vlerësojë lehtësisht nëse një tekst shkollor mund të përdoret apo nuk mund të përdoret, dhe
ai tekst që nuk është për përdorim nuk duhet të kthehet në fondin e bibliotekës dhe pastaj t’i
dorëzohen dikujt. Duhet të njoftohet Shërbimi Pedagogjik pranë Ministrisë dhe të plotësohet
tirazhi i nevojshëm”, tha Janevska, duke shprehur pritshmëri më të madhe të anëtarëve të
komisioneve shkollore të teksteve shkollore.
Ministrja rikujtoi se tekstet shkollore nga klasa e parë deri në të tretën shtypen në tirazh të
plotë çdo vit shkollor, kështu do të jetë edhe këtë vit, duke qenë se bëhet fjalë për të
ashtuquajturat “tekste pune” që përmbajnë material që plotësohet me shkrim, ngjyrosje,
prerje.
Tekstet e reja me përmbajtje të avancuar do të jenë edhe për klasën e shtatë, sepse në shtator
fillon zbatimi i programeve të reja mësimore. Ju kujtohet se kemi modifikuar Konceptin për
Arsimin Fillor të Qeverisë së kaluar, i cili parashikonte integrimin e lëndëve si historia dhe
gjeografia, kimia dhe fizika në klasën e shtatë. I kemi ndarë me kërkesë të opinionit të gjerë
dhe më së shumti me kërkesë të kuadrit mësimor dhe për këtë kemi programe të reja
mësimore dhe tekste të reja të miratuara që së shpejti do të hyjnë në proces shtypjeje”, tha
Janevska.
Ministrja informoi se për herë të parë pas gjashtë vitesh nxënësit në shkollat fillore do të kenë
tekste shkollore në të gjitha gjuhët e huaja.
“Për gjashtë vite nuk janë furnizuar tekste shkollore në gjuhën angleze, frënge, gjermane e
kështu me radhë. Si Qeveri e re jemi zotuar që vitin e kaluar ta zbatojmë këtë proces dhe do
të kemi sukses ta përfundojmë. Më 1 shtator do të ketë tekste të reja për të gjitha gjuhët e
huaja në shkollat fillore”, konfirmoi ministrja.
Tekste shkollore të reja për disa lëndë do të jenë të disponueshme edhe në gjimnaz dhe në
arsimin e mesëm profesional. Janevska potencoi se ky është viti i dytë shkollor me radhë në
të cilin do të ketë dorëzim me kohë të teksteve, gjë që, siç theksoi, nuk ishte praktikë shtatë
vitet e mëparshme.
Sipas ministres, tekstet shkollore janë një nga faktorët kyç për cilësinë e procesit arsimor,
përveç mësimdhënësve të motivuar, programve mësimore dhe infrastrukturës. Ministrja
shprehu mirënjohje deri tek të gjithë të përfshirët në procedurat për përpilimin e tyre,
prokurimin dhe dorëzimin në kohë.
Mesatarisht çdo vit, për prokurimin e teksteve shkollore, Ministria ndan rreth 660 milionë
denarë.