Shkencëtarët nisin epokën e re: ADN-ja njerëzore po krijohet në laborator

Ky projekt është vetëm hapi i parë drejt një epoke ku sëmundjet mund të parandalohen dhe trajtohen në nivelin më të thellë: kodin tonë gjenetik

Shkencëtarët që punojnë në projektin Gjenomi Sintetik Njerëzor (SynHG) do të kalojnë pesë vitet e ardhshme duke zhvilluar mjete dhe njohuri për të ndërtuar segmente të gjata të kodit gjenetik njerëzor në laborator. Këto segmente do të futen në qeliza të gjalla për të kuptuar më mirë se si funksionon kodi gjenetik, duke ofruar përgjigje për pyetje që kanë sfiduar biologjinë për dekada.

Përmes këtij projekti ambicioz, shkencëtarët synojnë të rikrijojnë pjesë të tëra të kromozomeve njerëzore, të cilat më pas do të integrohen në qeliza për të zbuluar rolin e secilës pjesë të ADN-së, veçanërisht pjesët që shpesh quhen “materia e errët” e gjeneve, sepse funksioni i tyre mbetet ende i panjohur. Zbulimet e reja pritet të hedhin dritë mbi mutacionet që shkaktojnë sëmundje të rënda, duke përfshirë kancerin, sëmundjet gjenetike të trashëguara dhe viruset që barten nëpërmjet gjeneve.

“Të dhënat që do të merren nga sinteza e gjenomeve njerëzore mund të jenë drejtpërdrejt të dobishme për krijimin e trajtimeve për pothuajse çdo sëmundje,” ka deklaruar profesori Jason Chin, i cili udhëheq projektin në Laboratorin e Biologjisë Molekulare (LMB) të Këshillit për Kërkime Mjekësore (MRC) në Kembrixh. Ai thekson se kjo qasje nuk është vetëm një ushtrim shkencor, por një hap drejt gjeneratës së ardhshme të trajtimeve, ku qelizat mund të modifikohen për të qenë më rezistente ndaj viruseve apo për të parandaluar defektet gjenetike para se të shfaqen.

Në kuadër të projektit SynHG, studiuesit do të fillojnë me krijimin e segmenteve të kromozomeve njerëzore dhe testimin e tyre fillimisht në qeliza të lëkurës. Në fazat e mëvonshme, këto segmente mund të përdoren për të krijuar qeliza të personalizuara për trajtime specifike, transmeton Telegrafi.

Projekti është i përbashkët dhe përfshin ekipe të specializuara nga Universiteti i Kembrixhit, Universiteti i Kentit, Mançesteri, Oksfordi dhe Imperial College London, duke kombinuar ekspertizën në biologji molekulare, bioinzhineri, etikë dhe shkenca shoqërore.

Një aspekt qendror i projektit është edhe garantimi i sigurisë dhe mbikëqyrja etike. Për këtë, paralelisht po zhvillohet një hulumtim mbi sfidat shoqërore dhe etike që lindin nga krijimi i genomeve në laborator. Këtë pjesë e udhëheq profesorja Joy Zhang nga Universiteti i Kentit. Ekipi i saj po studion se si mund të vendosen kufij ligjorë dhe moralë për të parandaluar abuzimet, si krijimi i të ashtuquajturve “designer babies” – foshnjës me tipare të zgjedhura sipas dëshirës dhe për të shmangur situata të paqarta ligjore, ku një individ mund të zbulojë papritur se është prind biologjik i një fëmije që nuk e ka njohur kurrë.

Projekti është financuar nga fondacione të mëdha kërkimore, si Wellcome Trust, me një grant fillestar prej 10 milionë paundësh, dhe ka mbështetje ndërkombëtare nga shkencëtarë që besojnë se sinteza e kontrolluar e gjenomeve do të revolucionalizojë mjekësinë e personalizuar. /Telegrafi/