Sherri me armë zjarri mes fqinjëve në Rrogozhinë! Vetëdorëzohet në polici autori, çifti i bashkëshortëve u plagos pas konfliktit me komshiun
Autori i plagosjes së çiftit të bashkëshortëve në fshatin Gosë të Rrogozhinës është vetëdorëzuar në polici.
Shpëtim Osmani, rreth 56 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të fqinjit të tij, Sami Disha, gjithashtu rreth 56 vjeç.
Për pasojë, Disha ka mbetur i plagosur dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor.
Gjithashtu e plagosur nga konflikti ka mbetur edhe bashkëshortja e Sami Dishës.
Ditën e sotme konflikti mes dy fqinjëve degjeneroi në përdorim armësh në fshatin Gosë të Rrogozhinës.
Ngjarja ndodhi për motive të dobëta, konkretisht për çështjen e një qeni.
Pas ngjarjes autori u arratis. Por arratia e tij zgjati pak, pasi rreth një orë pas konfliktit me armë ai u vetëdorëzua në Policinë e Rrogozhinës.