Një sherr për motive të dobëta mëngjesin e sotëm ka përfunduar me plagosjen me thikë të një të riu në Tropojë.
“Në orët e para të mëngjesit, në spitalin e Tropojës, është paraqitur shtetasi A. B., 23 vjeç, banues në Dojan, me dëmtime që dyshohet se janë shkaktuar nga goditja me mjet prerës. Aktualisht ai po merr mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën”, informon policia.
Blutë më tej sqarojnë se kanë arritur të identifikojnë autorin e ngjarjes dhe po vijon puna për kapjen e tij.
“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se shtetasi A. B. është plagosur me mjet prerës gjatë një konflikti për motive të dobëta, nga shtetasi O. L., 18 vjeç, banues në Bajram Curri. Shtetasi O. L. është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij”, bën me dije policia.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti. (A2 Televizion)