SHBA vendos avionë luftarakë në Lindjen e Mesme, në prag të përfshirjes së mundshme në konfliktin Izrael-Iran

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre ajrore pranë Lindjes së Mesme, në prag të një përfshirjeje të mundshme direkte në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, raportoi Sky News.

Sipas të dhënave për ndjekjen e fluturimeve, të paktën 52 avionë ushtarakë amerikanë janë regjistruar duke fluturuar mbi pjesën lindore të Mesdheut drejt Lindjes së Mesme, në periudhën midis të hënës dhe të enjtes.

Nga këta, 25 avionë u ulën në ishullin grek të Kretës – një rritje tetëfish në krahasim me fillimin e muajit, raportoi Sky News.

Sipas raportit, 32 avionë janë përdorur për transportimin e trupave dhe pajisjeve, 18 për furnizim me karburant gjatë fluturimit, ndërsa dy të tjerë janë klasifikuar si avionë zbulues.

Të dhënat nuk përfshijnë avionët luftarakë, fluturimet e të cilëve zakonisht kryhen pa publikim të vendndodhjes.

Megjithatë, Sky News raportoi se 12 avionë luftarakë F-35 janë fotografuar duke fluturuar nga Britania e Madhe drejt Lindjes së Mesme.

Në të njëjtën kohë, është shënuar një rritje e ndjeshme edhe në trafikun ushtarak amerikan përmes territorit britanik.

Tre bazat kryesore ushtarake në Britani regjistruan 63 ulje avionësh ushtarakë amerikanë midis datave 16 dhe 19 qershor – dyfishi i numrit të regjistruar në javët e mëparshme.

Avionët transportues C-17 Globemaster III dhe C-130 Hercules janë ulur në aeroportin Prestwick, në Glasgow, ditën e enjte.

Eksperti i sigurisë, Forbes McKenzie, vlerësoi se ky pozicionim tregon për një “rritje sistematike të kapaciteteve ushtarake” në rajon, e paprecedentë për nga shkalla dhe intensiteti.