Një raketë balistike, e lëshuar nga Irani, ka goditur drejtpërdrejt spitalin Soroka në qytetin jugor izraelit të Beershebës, në kuadër të një vale të re sulmesh ajrore që po përshkallëzojnë tensionet në rajon, shkruan Gazeta Sinjali.
Lajmi u konfirmua nga autoritetet izraelite dhe Ministria e Jashtme e Izraelit, e cila përmes një postimi në rrjetin social ‘X’ deklaroi: “URGJENTE: Një goditje direkte është raportuar në Spitalin Soroka në Beersheba, në jug të Izraelit. Detaje të mëtejshme do të pasojnë.”
Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë skena kaotike brenda dhe jashtë objektit, me qytetarë që vrapojnë në korridore të mbuluara nga pluhuri dhe rrënojat, ndërsa stafi mjekësor është evakuuar dhe qëndron jashtë ndërtesës.
Një zëdhënës i spitalit konfirmoi dëmtimet në infrastrukturë dhe paralajmëroi qytetarët të mos afrohen në objektin shëndetësor.
“Ka dëme në spital dhe dëme të mëdha në disa zona. Jemi në proces vlerësimi të situatës dhe të lënduarve të mundshëm,” tha ai.
Sirenat e alarmit u dëgjuan në të gjithë vendin, ndërsa mediat izraelite raportuan për disa shpërthime të fuqishme edhe në Tel Aviv dhe Jeruzalem, ku situata mbetet e tensionuar.
Iranian ballistic missile impact at Soroka Hospital in Beersheba https://t.co/8ih9H2QXUf pic.twitter.com/CxIfjLgMBq
— Emanuel (Mannie) Fabian (@manniefabian) June 19, 2025