Qendra e Shëndetit Publik Shkup kërkon qe të përmirësohet menaxhimi dhe të bëhet largimi i rregullt i mbeturinave nga NP Higjiena Komunale – Shkup në të gjitha lagjet.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë.
Menaxhimi i duhur i mbeturinave urbane është thelbësor për ruajtjen e mjedisit dhe shëndetit publik në qytetin e Shkupit. Hedhja e pakontrolluar e mbeturinave ndikon drejtpërdrejt në ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit, duke krijuar kushte të favorshme për shumimin e baktereve, parazitëve dhe insekteve – bartës të sëmundjeve të rrezikshme si dizenteria, hepatiti A, kolera dhe infeksionet respiratore.
Nga aspekti mjedisor, grumbullimi dhe trajtimi i gabuar i mbeturinave kontribuon në degradimin e tokës, ndotjen e lumenjve dhe përkeqësimin e cilësisë së ajrit. Djegia e pakontrolluar e tyre çliron substanca të rrezikshme, si dioksinat dhe furanet, të cilat mund të shkaktojnë sëmundje të frymëmarrjes, reaksione alergjike dhe, në raste të caktuara, edhe sëmundje kancerogjene.
Mospastrimi në kohë i kontejnerëve dhe mbeturinave nga NP Higjiena Komunale – Shkup është një ndër faktorët kryesorë të krijimit të kësaj situate. Këto pamje u bënë të dukshme në lagjen Çair dhe në disa zona të tjera të qytetit, ku mbeturinat ishin shpërndarë jashtë kontejnerëve dhe përreth hapësirave publike, duke paraqitur një rrezik real për përhapjen e infeksioneve.
Qentë dhe macet endacake e përkeqësojnë situatën duke shpërndarë mbeturinat, ndërsa kushtet klimatike me reshje favorizojnë përhapjen e aromave të pakëndshme.
Qendra e Shëndetit Publik Shkup rekomandon:
✅ Të përmirësohet menaxhimi dhe të bëhet largimi i rregullt i mbeturinave nga NP Higjiena Komunale – Shkup në të gjitha lagjet;
✅ Të riparohen dhe të mbyllen kapakët e kontejnerëve;
✅ Të pastrohen dhe dezinfektohen rregullisht hapësirat përreth pikave të grumbullimit;
✅ Të caktohen pika të veçanta për hedhjen e mbetjeve inerte dhe të ndërtimit, duke vendosur sinjalizime të qarta ndaluese.
Qendra e Shëndetit Publik Shkup apelon për reagim të menjëhershëm nga NP Higjiena Komunale – Shkup dhe bashkëpunim të qytetarëve për të parandaluar përsëritjen e kësaj gjendjeje dhe për të garantuar një mjedis të pastër dhe të sigurt për të gjithë.
Fotot e dërguara nga qytetarët në lagjen Çair – Shkup, pasqyron gjendjen alarmante me grumbullimin dhe shpërndarjen e mbeturinave urbane.