Qeveria i monitoron çmimet e produkteve ushqimore, analiza e plotë e ISHT do të jetë gati javën e ardhshme

Analiza e plotë e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT) për rritjen e çmimeve të ushqimeve do të jetë gati javën e ardhshme, paralajmëroi sot zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, i cili në Shtip po përgjigjej në pyetjen e gazetarëve, nëse tashmë po punojnë në masa për uljen e çmimeve të produkteve ushqimore në supermarkete.

Risteski theksoi se kjo Qeveri, ndryshe nga disa qeveri të mëparshme, gjithmonë bën analiza të mira para se të marrë ndonjë vendim dhe masë, dhe siç tha ai, kështu do të jetë edhe këtë herë.

“Ne i monitorojmë çmimet maksimalisht përmes Inspektoratit Shtetëror të Tregut, bëjmë analiza dhe nëse konkludojmë se ka nevojë të marrim një vendim ose masë, do ta bëjmë këtë në interes të qytetarëve për të mbrojtur standardin e tyre të jetesës. Shqetësimi ynë kryesor si qeveri janë qytetarët dhe standardi i tyre i jetesës”, tha Risteski.

Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës shtoi se bazuar në analizën aktuale të përgatitur nga ISHT, ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve, kryesisht për kafenë dhe vajin, të cilat janë produkte të bursës.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

“Në veçanti, çmimet e disa produkteve janë rikthyer në nivelin që ishin para vendimit, i cili ishte para një muaji e më tepër, ka pasur një rritje të lehtë të çmimeve të caktuara, ndërsa disa kanë mbetur në të njëjtin nivel. Por kemi një rritje më të madhe të çmimeve të kafesë dhe vajit, të cilat janë produkte të bursës dhe varen nga bursat botërore. Megjithatë, për vendimin përfundimar opinioni publik do të informohet nëse ekziston dhe kjo do të tregohet nga analiza e plotë, e cila do të jetë gati javën tjetër”, tha Risteski.

I pyetur në lidhje me tensionet ushtarake në Lindjen e Mesme, të cilat me siguri do të reflektohen në tregun e energjisë dhe nëse Qeveria ka një plan se si të përballet me një tronditje të re energjetike, Risteski tregoi se Qeveria po e monitoron situatën në nivel global.

“E monitorojmë jo vetëm situatën e ekonomisë vendase, por edhe ngjarjet botërore, dhe si të zhvillohet situata ashtu do të reagojmë si Qeveri. Duhet të jemi të përgatitur paraprakisht dhe të kemi informacione dhe takime me ministri të shumta dhe Qeverinë. Situata po monitorohet dhe nëse çështja përshkallëzohet, gjë që do të shkaktonte një tronditje të caktuar në ekonominë botërore, është normale që Qeveria të reagojë me masa të përshtatshme”, tha Risteski.

Ai shtoi se Qeveria nuk do të presë që kriza ekonomike globale të na kapë në këtë çështje dhe për këtë arsye, siç tha ai, “duhet të jemi të përgatitur dhe kjo është ajo që po bëjmë”.