“Po më gjykojnë si çift!”, Meta nga paraburgimi: Jam i divorcuar, nuk mbaj përgjegjësi as për fëmijët e mi!

Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar me tone të forta përmes një postimi në rrjetet sociale nga paraburgimi. Meta i ka cilësuar akuzat si të fabrikuara me urdhër të Edi Ramës dhe kreut të SPAK, Altin Dumani, duke folur për një fushatë të qëllimshme dizinformimi dhe përpjekje për ta lidhur me një “çift Meta-Kryemadhi” që, sipas tij, nuk ekziston më.

“E mirëkuptoj pasionin e tyre për të mbajtur në opinion një çift që nuk ekziston më as juridikisht prej një viti. Madje në aktakuzën që më është komunikuar më 27 maj, më kanë quajtur ende i martuar,” shkruan Meta.

Meta hedh poshtë çdo akuzë për përfshirje në veprime të paligjshme, duke thënë se “asnjë akt i paligjshëm, as ka ndodhur dhe as mund të ndodhë nga Ilir Meta, në Shqipëri, SHBA apo kudo tjetër”.

Ai ironizon me “zbulimin e një karte të paligjshme”, duke thënë se gjithçka do të dalë e qartë gjatë gjykimit në themel, që sipas tij “nuk mund të jetë i mbyllur si listat e mbyllura, por i hapur për qytetarët”.

Ish-presidenti thekson se nuk mban përgjegjësi për fëmijët e tij, që janë në moshë madhore, as për kushërinjtë, për të cilët thotë se “njëri prej tyre ka qenë mik me Charles McGonigal”.

Meta ironizon edhe procesin ndaj ish-agjentit të FBI-së duke shtuar: “Po letër-porosia për Charles McGonigal, që është 4 vite i dënuar me burg, është dërguar apo po vonon ngaqë e kanë nisur me not?”