Tani për tani, luftimet midis Izraelit dhe Iranit duken të kufizuara vetëm në dy kombe.
Në Kombet e Bashkuara dhe gjetkë ka pasur mendime të ndryshme rreth arsyes së luftës.
Po sikur të bien në vesh të shurdhër?
Po nëse luftimet përshkallëzohen dhe zgjerohen?
Këtu janë vetëm disa skenarë të mundshëm, më të keq.
Amerika përfshihet në konflikt
Pavarësisht mohimeve të SHBA-së, Irani duket qartë se beson që forcat amerikane e kanë miratuar dhe të paktën kanë mbështetur në heshtje sulmet e Izraelit.
Irani mund të godasë objektiva amerikane në gjithë Lindjen e Mesme – si kampet e forcave speciale në Irak, bazat ushtarake në Gjirin Persik dhe misionet diplomatike në rajon. Forcat përfaqësuese të Iranit – Hamasi dhe Hezbollahu – mund të jenë dobësuar ndjeshëm, por milicitë e tij mbështetëse në Irak mbeten të armatosura dhe të paprekura.
SHBA-të e kishin frikë një mundësi të tillë sulmi dhe kanë tërhequr një pjesë të personelit të tyre. Në deklaratat publike, SHBA-të kanë paralajmëruar fort Iranin për pasojat e çdo sulmi ndaj objektivave amerikane, raporton bbc.
Çfarë mund të ndodhte nëse do të vritej një qytetar amerikan, për shembull, në Tel Aviv apo diku tjetër?
Presidenti amerikan, Donald Trump mund të ndjehej i detyruar të vepronte. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është akuzuar prej kohësh se kërkon të tërheqë SHBA-të në ndihmë për të mposhtur Iranin.
Analistët ushtarakë thonë se vetëm SHBA-të kanë bombarduesit dhe bombat në gjendje të depërtojnë në objektivat më të thella bërthamore iraniane, veçanërisht në impiantin e Fordowit.
Trump u kishte premtuar mbështetësve të tij të MAGA-së se nuk do të niste asnjë “luftë të përhershme” në Lindjen e Mesme. Por, gjithashtu, shumë republikanë mbështesin si qeverinë izraelite, ashtu edhe idenë se tani është momenti për të kërkuar ndërrimin e regjimit në Teheran.
Megjithatë, nëse Amerika do të bëhej një pjesëmarrëse aktive në luftë, kjo do të përfaqësonte një përshkallëzim të madh me pasoja të gjata dhe potencialisht shkatërrimtare.
Vendet e Gjirit përfshihen në konflikt
Nëse Irani nuk arrin të dëmtojë objektivat ushtarake dhe të tjera të mbrojtura mirë në Izrael, atëherë mund të synojë objektiva më të lehta në Gjirin Persik, veçanërisht ato vende që Irani beson se kanë ndihmuar dhe mbështetur armiqtë e tij ndër vite.
Ka shumë objekte energjetike dhe infrastrukturore në rajon. Kujtojmë se Irani u akuzua për sulmin ndaj fushave naftës të Arabisë Saudite në vitin 2019, dhe përfaqësuesit e tij Houthi goditën objektiva në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2022.
Që nga ajo kohë ka pasur një lloj pajtimi mes Iranit dhe disa vendeve të rajonit, transmeton Telegrafi.
Por, këto vende strehojnë baza ajrore amerikane. Disa prej tyre – në mënyrë të fshehtë – ndihmuan në mbrojtjen e Izraelit nga sulmet raketore iraniane vitin e kaluar.
Nëse Gjiri do të sulmohej, atëherë edhe ai mund të kërkonte që avionët luftarakë amerikanë të vijnë në mbrojtje të tij, ashtu si edhe të Izraelit.
ads.tetovasot.com
ads.tetovasot.com
Izraeli dështon të shkatërrojë kapacitetin bërthamor të Iranit
Po nëse sulmi izraelit dështon? Po nëse objektet bërthamore të Iranit janë shumë të thella, shumë mirë të mbrojtura? Po nëse 400 kilogramët e uraniumit të pasuruar në nivelin 60 për qind – karburanti bërthamor që është vetëm një hap larg nga përdorimi për armë, mjaftueshëm për rreth dhjetë bomba – nuk shkatërrohen?
Mendohet se ato mund të jenë fshehur thellë në miniera sekrete. Izraeli mund të ketë vrarë disa shkencëtarë bërthamorë, por asnjë bombë nuk mund të shkatërrojë njohuritë dhe përvojën e Iranit.
Po nëse sulmi izraelit bind udhëheqjen iraniane se mënyra e vetme për të penguar sulme të mëtejshme është të nxitojë drejt kapacitetit bërthamor sa më shpejt që të jetë e mundur?
Po nëse udhëheqësit e rinj ushtarakë që ndodhen rreth tryezës janë më të pamatur dhe më pak të kujdesshëm se paraardhësit e tyre tashmë të vrarë?
Së paku, kjo mund ta detyrojë Izraelin të ndërmarrë sulme të tjera, duke rrezikuar të përfshijë rajonin në një cikël të pandërprerë goditjesh dhe kundërgoditjesh. Izraelitët kanë një frazë të ashpër për këtë strategji; ata e quajnë “kositja e barit”.
Goditje ekonomike globale
Çmimi i naftës është tashmë në rritje.
Po nëse Irani përpiqet të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, duke kufizuar më tej lëvizjen e naftës?
Po nëse – në anën tjetër të Gadishullit Arabik – Houthit në Jemen dyfishojnë përpjekjet e tyre për të sulmuar anijet në Detin e Kuq? Ata janë aleati i fundit i mbetur, i ashtuquajtur përfaqësues, i Iranit me një histori të paparashikueshmërisë dhe oreks të lartë për rrezik.
Shumë vende në botë po përballen tashmë me një krizë të kostos së jetesës. Rritja e çmimit të naftës do të shtonte inflacionin mbi një sistem ekonomik global që tashmë po përkulët nën peshën e luftës tregtare të Trumpit.
Dhe mos harrojmë, njeriu që përfiton më shumë nga rritja e çmimeve të naftës është presidenti rus, Vladimir Putin, i cili papritur do të shihte miliarda dollarë të derdheshin në arkat e Kremlinit për të financuar luftën e tij kundër Ukrainës.
Rënia e regjimit iranian lë një boshllëk
Po nëse Izraeli arrin qëllimin e tij afatgjatë për të detyruar rrëzimin e regjimit revolucionar islamik në Iran?
Netanyahu pretendon se qëllimi i tij kryesor është të shkatërrojë kapacitetin bërthamor të Iranit. Por në deklaratën e tij dje, ai bëri të qartë se synimi i tij më i gjerë përfshin ndryshimin e regjimit.
Ai u tha “popullit krenar të Iranit” se sulmi po “hapte rrugën për ju që të arrini lirinë”, nga ajo që ai e quajti “regjimi juaj i lig dhe shtypës”.
Rrëzimi i qeverisë iraniane mund të jetë joshës për disa në rajon, veçanërisht për disa izraelitë. Por çfarë boshllëku mund të linte pas? Çfarë pasojash të paparashikuara mund të ketë? Si do të dukej një konflikt civil në Iran?
Shumë kujtojnë se çfarë ndodhi në Irak dhe Libi kur u rrëzuan qeveritë e tyre të forta dhe të centralizuara.
Prandaj, shumëçka varet nga mënyra se si do të zhvillohet ky konflikt në ditët në vijim.
Si – dhe sa fort – do të kundërpërgjigjet Irani? Dhe çfarë përmbajtjeje – nëse ka – mund të ushtrojnë SHBA ndaj Izraelit?
Nga përgjigjja ndaj këtyre dy pyetjeve do të varet shumë.