Për këtë arsye Trump vendosi të godasë tani Iranin

Pas ditësh të tëra hezitimi, presidenti amerikan Donald Trump dha urdhrin: ai dërgoi bombarduesit dhe nëndetëset amerikane për të sulmuar objektivat kryesore bërthamore të Iranit.

Me bomba që depërtojnë në bunkerë dhe raketa të tipit “cruise”, forcat amerikane sulmuan gjatë natës drejt së dielës objektet kryesisht nëntokësore në Fordo, Natans dhe Isfahan.

Disa ekspertë dhe vetë ministri i Jashtëm gjerman kishin deklaruar më herët se Trump nuk do ta sulmonte regjimin e Mullahëve. Pse e bëri pra? “Bild” rendit katër arsye pse presidenti amerikan vendosi të godasë tani – në një moment që ishte më i favorshëm se kurrë më parë.

Mullahët nuk treguan vullnet për bisedime të ndershme
Edhe pse regjimi iranian nuk ishte në gjendje të reagojë ndaj sulmeve izraelite, ai nuk shfaqi asnjë gatishmëri për negociata. Kërkesat që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit dhe të heqë dorë nga programi i raketave balistike u refuzuan. Mullahët deklaruan se do të bisedonin me SHBA-në vetëm pasi Izraeli të ndalte sulmet – një tregues se Teherani po përpiqej të fitonte kohë.

Regjimi iranian më i dobët se kurrë më parë
Irani nuk ishte në gjendje të mbrohej nga bombarduesit dhe raketat amerikane. Një operacion ushtarak i pashembullt i Izraelit kishte dëmtuar rëndë sistemet kundërajrore të Iranit, madje në shumë zona i kishte eliminuar tërësisht. Kjo e minimizoi rrezikun për humbje nga ana e SHBA-së. Edhe një kundërsulm i mundshëm i Iranit ndaj trupave amerikane do të ishte tepër i rrezikshëm për Teheranin.

Boshti terrorist i Iranit është i paralizuar

Regjimi i Mullahëve kishte ngritur rrjete milicish dhe organizatash terroriste në Liban, Siri, Jemen, Irak dhe Gaza për të penguar çdo sulm kundër programit bërthamor. Këto forca pritej të aktivizoheshin në rast të një sulmi. Llogaritja e Teheranit ishte se frika nga një përhapje rajonale e konfliktit do ta ndalte Izraelin dhe SHBA-në. Megjithatë, deri tani, grupet si Hezbollahu në Liban apo Huthit në Jemen nuk kanë ndërhyrë – pas goditjeve të forta që morën nga Izraeli.

Kina dhe Rusia po shikonin me vëmendje
Diplomatë perëndimorë thanë për “Bild” se çështja e Iranit ishte një provë vendosmërie për Trump – jo vetëm për shkak të rrezikut bërthamor. Nëse Trump nuk do të godiste një Iran të dobësuar ushtarakisht, Pekini dhe Moska do ta shihnin këtë si shenjë dobësie. Kjo do të mund ta shtonte rrezikun për një sulm kinez ndaj Tajvanit dhe do të ngrinte dyshime te aleatët e SHBA-së për gatishmërinë e Trump për të ndihmuar.