Osmani: Një thirrje vëllazërore për Ty që mbështete VLEN

Në një reagim publik emocional dhe tejet domethënës, Bujar Osmani ka shpërndarë një mesazh të fuqishëm drejtuar qytetarëve shqiptarë që kanë mbështetur ndryshimin “VLEN”, por që sot ndihen të zhgënjyer nga zhvillimet e fundit, transmeton TS.

“Të respektoj. Sinqerisht. Sepse nuk ke gabuar që kërkove më shumë. Ke qenë i zhgënjyer. Ke kërkuar më mirë. Dhe kjo është për t’u vlerësuar,” shkruan Osmani, duke treguar mirëkuptim për zërat që kërkuan ndryshim përmes mbështetjes së forcës së re politike VLEN.

Por ai thekson me shqetësim se sot nuk bëhet më fjalë për ndasi politike, por për një projekt të rrezikshëm:

“Po na heqin nga institucionet. Po e fshijnë gjuhën tonë. Dhe tani duan të na fshijnë edhe nga shteti me regjistrim të ri,” – vijon ai, duke nënvizuar se ky proces po ndodh në emër të shqiptarëve, pa vullnetin e tyre të vërtetë.

Osmani i bën thirrje çdo qytetari që të mos heshtë përballë kësaj padrejtësie:

“Unë nuk të kërkoj të na mbështetësh. Të kërkoj vetëm të mos heshtësh. Sepse zëri yt vlen. Dhe duhet të jetë për dinjitetin e shqiptarëve, jo për heshtjen e dikujt tjetër.”

Ky mesazh vjen në një moment kritik të zhvillimeve politike në vend, kur debati për përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore është gjithnjë e më i ashpër, ndërsa shumë qytetarë kërkojnë transparencë, respekt dhe dinjitet në vendimmarrje.

Postimi i plotë:

Të respektoj. Sinqerisht.
Sepse nuk ke gabuar që kërkove më shumë.
Ke qenë i zhgënjyer. Ke kërkuar më mirë. Ke kërkuar ndryshim.
Dhe kjo është për t’u vlerësuar.

Por sot, të gjithë po e shohim bashkë:
Kjo nuk është më çështje partish, as individësh.
Ky është një plan. Një projekt i rrezikshëm për të na poshtëruar.

Po na heqin nga institucionet.
Po e fshijnë gjuhën tonë.
Dhe tani duan të na fshijnë edhe nga shteti me regjistrim të ri.

Dhe më e dhimbshmja: po e bëjnë në emrin TËND.

Ti nuk je pjesë e kësaj.
Ti nuk ke votuar për këtë.
Dhe nuk është vonë të thuash: “Jo, kjo nuk është ajo që desha.”

Unë nuk të kërkoj të na mbështetësh.

Të kërkoj vetëm të mos heshtësh.
Sepse zëri yt vlen.
Dhe duhet të jetë për dinjitetin e shqiptarëve, jo për heshtjen e dikujt tjetër.