Nga Lindja e Mesme në Ballkan: Si Trump e sheh Kosovën si pazar gjeopolitik

“Kur diplomacia shndërrohet në projekt personal, shtetet e vogla rrezikojnë të bëhen viktima të pazareve të mëdha.”

Nga retorika drejt imponimit: Roli i Trumpit në dialogun Kosovë–Serbi

Rikthimi i Donald J. Trump në qendër të skenës globale nuk është thjesht një rotacion politik në SHBA, por një sinjal për riaktivizim të realpolitikës së fortë të përqendruar më shumë në përfitime të shpejta strategjike sesa në parime afatgjata të paqes.

Në këtë kuptim, çështja Kosovë–Serbi, për Trumpin, nuk është dosje e ndjeshme e drejtësisë ndërkombëtare, por një pazar potencial për kapital politik dhe ekonomik. Ai e sheh këtë konflikt jo si dramë historike e një populli që ka kaluar gjenocid, por si një dosje të papërfunduar që duhet “mbyllur” për të konsoliduar lidershipin e vet ndërkombëtar.

Zgjidhja që mund të ofrojë Trumpi për dialogun Kosovë–Serbi nuk do të jetë një zgjidhje që i shërben drejtësisë, stabilitetit apo interesit të Kosovës. Ajo do të jetë një marrëveshje e shpejtë, e ndërtuar për të shënuar sukses diplomatik fiktiv në një fushatë zgjedhore apo në një përballje ndërkombëtare me rivalë gjeopolitikë. Në vend që të garantojë njohjen reciproke dhe adresimin e së kaluarës, një marrëveshje e tillë do të anashkalojë thelbin e konfliktit dhe do të tentojë ta “arkivojë” çështjen në emër të efikasitetit diplomatik. Për Kosovën, një marrëveshje që nuk bazohet në drejtësi është vetëm një pazar i dëmshëm me pasoja afatgjata.

Pas një sërë dështimesh në Lindjen e Mesme – përfshirë paqen izraelito-palestineze dhe tërheqjen e pjesërishme nga afatet strategjike – Trump kërkon një kompensim gjeopolitik të shpejtë. Ballkani është i përshtatshëm: konflikt i papërmbyllur, interes ekonomik për infrastrukturë dhe energji, dhe vakum diplomatik i krijuar nga paaftësia e BE-së për të prodhuar zgjidhje.

Në këtë kontekst, Kosova rrezikon të trajtohet si “terren i lirë” për një zgjidhje të shpejtë, e cila nuk do të bazohet mbi drejtësinë ndërkombëtare, por mbi interesat e tregut amerikan dhe ato personale të rrethit të Trumpit.

Rreziku i përjashtimit të vullnetit demokratik të Kosovës

Në qendër të këtij rreziku qëndron tendenca për të përjashtuar nga proceset vendimmarrëse zërat institucionalë që nuk përputhen me planet e dizajnuara nga jashtë. Në vend të një dialogu gjithëpërfshirës e të drejtë, po krijohet një mekanizëm ku preferencat individuale të lobistëve zëvendësojnë legjitimitetin kushtetues dhe përfaqësimin demokratik.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

Në këtë kontekst, Richard Grenell, ish-emisari për dialogun, ka qenë ndër figurat më të zëshme që promovon një qasje përjashtuese ndaj udhëheqjes aktuale të Kosovës. Ai ka shmangur çështjet thelbësore si gjenocidi, krimet e luftës dhe njohja reciproke, duke shtyrë përpara një linjë ku prioritet ka ekonomia, jo drejtësia.

Brenda vetë Kosovës, një pjesë e opozitës politike – e lidhur me frymën dhe interesat e lobistëve të huaj – ka adoptuar këtë qasje si strategji për të ardhur në pushtet përmes destabilizimit. Kjo opozitë e bindur, në vend që të ndërtojë alternativa programore, është bërë instrument i planeve të huaja për të rrëzuar legjitimitetin që buron nga zgjedhjet.

Grenell ka trajtuar çështjen Kosovë–Serbi si një marrëveshje tregtare që mbyllet me investime dhe infrastruktura, jo me drejtësi për viktimat dhe respekt për të drejtën ndërkombëtare.

Qasja e tij është brutalisht e thjeshtë: “krijoni treg, lidhni rrugë, dhe mbylleni kapitullin.” Kjo logjikë redukton Kosovën nga një shtet sovran në një zonë ekonomike të menaxhueshme – e rrezikshme për stabilitetin dhe dinjitetin kombëtar.

Nëse kjo filozofi rikthehet me intensitet në një mandat të ri presidencial në SHBA, atëherë marrëveshja që do të shtyhet përpara nuk do të jetë as historike, as e drejtë – por një kompromis i rrezikshëm, i ndërtuar mbi heshtjen e padrejtësive dhe nënshtrimin e palës më të dobët.

Qëndrimi që duhet të mbajë Kosova

Kosova duhet të jetë e qartë dhe e vendosur në këto parime: – Dialogu është i nevojshëm, por jo në kushte presioni dhe shantazhi ndërkombëtar
Çdo marrëveshje duhet të jetë transparente, e drejtë dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës
Asnjë aktor i huaj – as SHBA, as BE, as individë si Grenell – nuk mund të diktojnë kush përfaqëson popullin e Kosovës
Miqësia me SHBA-të është strategjike, por nuk është e verbër. Ajo duhet të jetë bashkëpunim, jo dorëzim

Përfundim: Diplomacia që përjashton demokracinë është kthim pas

Nëse diplomacia ndërkombëtare kthehet në një garë për të emëruar përfaqësuesit që u përshtaten agjendave të huaja, atëherë Kosova duhet të përgatitet për një sfidë historike dhe morale.

Kosova nuk është një dosje për t’u arkivuar me një firmë të shpejtë. Ajo është një histori e gjallë e një populli që ka luftuar për drejtësi – dhe nuk duhet të pranojë asgjë më pak.