Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se Izraeli ka arritur një “fitore historike” pas përfundimit të konfliktit 12-ditor me Iranin, duke e cilësuar atë si një moment që “do të mbahet mend nga brezat e ardhshëm”.
Në një fjalim drejtuar kombit, Netanyahu tha se Izraeli kishte eliminuar një kërcënim ekzistencial bërthamor ndaj tij, si dhe mijëra raketa balistike iraniane, raporton CNN.
“Kjo është një ditë e madhe për sigurinë e Izraelit. Ushtria jonë dhe shërbimet e inteligjencës kanë treguar vendosmëri dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm,” tha Netanyahu, duke shtuar se veprimet e ndërmarra ishin thelbësore për të parandaluar një luftë më të gjerë në rajon.
Megjithatë, në një qëndrim të kundërt, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi gjithashtu se Irani kishte arritur një “fitore historike” në përballjen që, sipas tij, ishte “imponuar” nga Izraeli.
Në një deklaratë për agjencinë shtetërore IRIB, Pezeshkian u shpreh se “kombit iranian iu desh të përballej me një agresion të hapur, por falë qëndresës së popullit dhe forcave tona të armatosura, ia dolëm të mbrojmë sovranitetin dhe dinjitetin tonë kombëtar.”