Në gjimnazet në Dibër dhe Qendra Zhupë në vitin e parë janë regjistruar 112 nga 272 nxënësit e paraparë

Në gjimnazet “28 Nëntori” në Dibër dhe “ATA” në Qendra Zhupë, në afatin e parë të regjistrimit, në vitin e parë, vitin shkollor 2025/2026, janë plotësuar vetëm 112 nga 272 vendet e parapara të nxënësve.

Në gjimnazin në Dibër, sipas Konkursit të MASH, të drejtë të regjistrimit kishin 204 nxënës që kishin përfunduar klasën e nëntë në dy gjuhët mësimore, 136 në gjuhën shqipe dhe 68 në gjuhën maqedonase.

“Në afatin e parë të regjistrimit janë regjistruar 95 nxënës, prej të cilëve 70 janë në mësimin në gjuhën shqipe dhe 25 në mësimin në gjuhën maqedonase. Për afatin e dytë mbeten të paplotësuara 109 vende, prej tyre 66 në gjuhën shqipe dhe 43 në gjuhën maqedonase”, deklaroi për MIA-n, profesoresha Afrona Leshi, përgjegjëse për regjistrimin.

Në gjimnazin “ATA” në Qendra Zhupë, sipas drejtorit Sabri Asan janë regjistruar 17 nxënës, prej tyre 15 në paralelen në gjuhën turke dhe 2 për paralelen në gjuhën maqedonase.

Në bazë të konkursit të MASH kuota e paraparë është 68 nxënës në 2 paralele, gjegjësisht nga 34 nxënës në paralelen me mësim në gjuhën maqedonase dhe po aq për paralelen me mësim në gjuhën turke.

Në afatin e parë të regjistrimit nxënësit duhej të kishin minimum 60 pikë. Për afatin e dytë, të gushtit, minimumi i pikëve të nevojshme pritet të ulet.