Së shpejti do të hapen 300 vende të reja të lira për kuadro nga radhët e specializantëve privatë, paralajmëroi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën për media në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Spitali në Kumanovë nuk do të mbetet pa operacione, ajo sfidë nuk është vetëm për atë spital, por edhe për gjithë Maqedoninë, por edhe brenda në Qendrën Klinike ‘Nëna Terezë’. Dhe këtu, nga njëra në klinikën tjetër, në këtë kampus, gjithashtu, bëjmë një lloj të tillë të lëvizjes horizontale të profileve. Kjo ndodh sepse deri më tani për fat të keq politika të krijuara në shëndetësi ishin vetëm në bazë të marrëdhënieve familjare ose shoqërore, ndërsa jo në bazë të nevojave reale të cilat Ministria i ka për kuadrin profesional”, tha ai. Ai tha se së shpejti do të hapen vende të reja për çka ka nevojë.
“Ne shumë shpejtë do të hapim edhe 300 vende të lira për specializantë, në profile për të cilat me të vërtetë kemi nevojë. Nuk kemi radiologë në vend, prandaj edhe aty ndodh që pacientë të presin me ditë të tëra për rezultate për lexim të fotografive. Treqind tashmë janë publikuar dhe kanë përfunduar, ndërsa 300 do të publikohen javën e ardhshme”, shtoi Aliu. Ai theksoi se është me rëndësi që profili duhet të jetë në pajtim me nevojat e sistemit shëndetësor. “Do të insistojmë në këtë”, theksoi ministri Aliu.