Ministri i Jashtëm iranian takon Putinin, në Teheran shtohen thirrjet për hakmarrje

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, pritet të zhvillojë një takim zyrtar me presidentin rus Vladimir Putin gjatë një vizite në Moskë, mes përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas deklaratave të vetë Araqchit, Irani dhe Rusia po koordinojnë qëndrimet e tyre mbi zhvillimet e fundit në rajon. Lajmi u konfirmua edhe nga agjencia ruse Interfax, e cila citoi ndihmësin e Kremlinit, Yuri Ushakov, duke thënë se takimi do të fokusohet në zhvillimet gjeopolitike dhe bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve.

Rusia dhe Irani kanë forcuar aleancën e tyre në vitet e fundit, duke nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik në janar. Ndërkohë, Irani ka furnizuar Rusinë me dronë për përdorim në luftën e saj në Ukrainë, një lëvizje që ka tërhequr kritika të ashpra nga Perëndimi.

Në një tjetër zhvillim nga Irani, Forcat e Armatosura iraniane paralajmëruan Shtetet e Bashkuara për pasoja të rënda pas sulmeve ajrore të fundit. “Sulmet e tyre kanë zgjeruar gamën e objektivave legjitime për ne,” deklaroi një zëdhënës i Shtabit Qendror Khatam al-Anbiya. Komandanti Ebrahim Zolfaqari, në një deklaratë që përfundoi në gjuhën angleze, tha: “Z. Trump, bixhozxhi, ju mund ta filloni këtë luftë, por ne do ta përfundojmë atë.”

Ndërkohë, situata në Iran duket të jetë e unifikuar në reagim. Korrespondentët e Skynews nga Irani deklarojnë se për herë të parë në dekada, ekziston një “solidaritet i paparë” në mesin e popullit iranian.

“Tani të gjithë kërkojnë një përgjigje të ashpër, veçanërisht kundër Izraelit,” shkruan Skyneës duke cituar korrenspodentin Emad Anshenas nga Teherani.

Sipas gazetarit, tensionet aktuale kanë ringjallur një ndjenjë patriotike që nuk ishte parë që nga koha e luftës Iran-Irak, dhe brenda vendit po rriten thirrjet për avancimin e programit bërthamor.