Mickoski i përgjigjet kritikave për ndarjet e çmimeve në sport: Në sportet individuale, kjo ndarje është ndryshe!
Kryeministri Hristian Mickoski ndau mirënjohje kombëtare për arritje të larta në sport, përcjell TV21. Sipas dispozitave ligjore, sportistit i cili ka arritur njohje sportive kombëtare i ndahet plaketë dhe pension mujor i përhershëm, në shumë prej gjysmë deri në një herë e gjysmë paga mesatare mujore, e paguar në Maqedoni në vitin paraprak. Mickoski iu përgjigj edhe kritikave, që në mesin e sportistëve, nuk ka asnjë shqiptarë. Mickoski thotë se në sporte individuale, 20% e personave që gëzojnë këto privilegje, janë shqiptarë.
“Nuk kishte, përpos këtyre që i patë sot, nuk ka emra të tjerë që kanë fituar Ligë të Kampionëve ose Euroligë. Për këtë dua të theksoj se në sportet individuale, rezultate të këtilla të larta, kur do të merret në përqindje, dhe që janë shpërblyer me lloj të këtillë të pensionit të përhershëm, 47% janë maqedonase, mbi 20% janë shqiptarë, dhe të tjerët. Këtu ndoshta do të kritikojnë nga opozita tjetër, se pse atje ka pak maqedonas. Por në sportet individuale dua të them se kjo ndarje është ndryshe. Unë jam i bindur se shumë shpejtë do të kemi trima të tjerë të këtillë, pa dallim nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë, ose të tjerët, shtetas të Maqedonisë, që do ta promovojnë shtetin e tyre dhe në sportet individuale, por edhe në ato kolektive, dhe do të arrijnë rezultate të larta, duke e fituar Ligën e Kampionëve, Euroligën, ose në sportet individuale të na befasojnë dhe gëzojnë me medalje olimpike, në kampionate botërore, me medalje në kampionate europiane, e kështu me radhë”, tha Mickoski.
Ndryshe, me çmimin kombëtar për arritje të larta në sport sot u nderuan Goran Pandev, Darko Pançev, Ilija Najdovski në futboll. Petar Naumoski, Pero Antiç në basketboll. Kiril Lazarov, Stojançe Stoilov, Vlado Nedanovski, Petar Angelov, Marko Kiziç, Marko Mishevski, Martin Popovski, Valentina Radulloviç, Elena Gjorgjievska, Indira Kastratoviç, Gordana Naceva, Mirjana Çupiç, Mileva Velkova, Anxhela Platon, Larisa Kiseljova, Elena Zlatanovska Muratovska, Klara Boeva në hendboll.