Mesut Bajrami reagon ndaj degradimit të invalidit të luftës nga MPB: Turp për ndëshkimin politik ndaj një dëshmori të gjallë!

Anëtari i Kryesisë Qendrore të partisë Alternativa, Mesut Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme që, sipas tij, përfshin ndëshkimin e një invalidi lufte nga komuna e Likovës për arsye politike.

Në një reagim publik, Bajrami ka akuzuar drejtpërdrejt zyrtarët shqiptarë brenda institucioneve shtetërore, duke e quajtur “turp” faktin që, siç thotë ai, një pjesëtar i UÇK-së po dënohet pa faj vetëm pse i vëllai është anëtar i një partie politike kundërshtare.

“Si mund të lejosh një udhëheqës shqiptar në Kumanovë, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të dënohet një invalid i luftës – pa asnjë faj – vetëm pse i vëllai qenka pjesë e një partie tjetër?” – pyet Bajrami, duke shtuar se gjaku i atyre që sakrifikuan për kombin nuk mund të përdoret si instrument ndëshkimi politik.

Ai ka kërkuar që të ndalet menjëherë kjo praktikë, të rivlerësohet vendimi dhe të tregohet respekt ndaj kontribuesve të luftës. Reagimi i tij është parë si një akuzë direkte ndaj Zeqirija Ibrahimit, i cili përmendet në statusin e tij me nofkën “Iblisi”.

Deklarata e Bajramit ka ngjallur diskutime në opinionin publik, veçanërisht në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, ku çështjet e luftës dhe përfaqësimit politik vazhdojnë të jenë të ndjeshme.