Ligji për përfaqësik të drejtë/ Bajram Rexhepi: Nuk do të lejojmë që tallja me shqiptarët të bëhet normë ligjore

Bajram Rexhepi

Sot jemi dëshmitarë të një talljeje të hapur dhe të dhimbshme me të drejtat themelore të shqiptarëve në këtë shtet.

Nën pretekstin e një “ligji të ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat”, po tentohet të legalizohet padrejtësia, duke u zëvendësuar mekanizmi i balancuesit me një “trup koordinues” pa fuqi reale, dhe pa të drejtë sanksionimi. Ky nuk është një hap drejt barazisë, por një kthim prapa drejt një realiteti të trishtë, ku shqiptarët përjashtohen nga institucionet, nga vendimmarrja dhe nga mundësia për të ndërtuar të ardhmen në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Nuk guxojmë të heshtim përballë kësaj padrejtësie. Asnjëri nga ne nuk duhet të heshtë. Ky ligj është një përpjekje e rradhës për të “zbukuruar” padrejtësinë me fjalë boshe dhe raporte formale njëherë në vit.
Por cilësia e jetës së qytetarit nuk matet me raporte, ajo matet me mundësi, me përfaqësim real dhe me dinjitet të barabartë.

Ju ftoj që së bashku të ngrejmë zërin për një ligj të drejtë, me mekanizma të definuara detyrues dhe sanksionues, për kontroll dhe përgjegjësi të qartë.

Nuk do të lejojmë që tallja me shqiptarët të bëhet normë ligjore.

#Bashkë për dinjitetin tonë!