Katër shpella unike të Kosovës në pulla postare

Prishtinë, 18 qershor 2025 –

Posta e Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përkatësisht me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, lansoi sot emisionin më të ri të pullave postare kushtuar katër prej monumenteve natyrore më të veçanta të vendit: Shpella e Kusarit, Shpella “Gryka e Madhe”, Shpella e Hoxhës dhe Shpella e Demës.

Ky emision paraqet një udhëtim vizual të pasur nëpër thesaret nëntokësore të vendit tonë – dëshmi të rralla të gjeologjisë, arkeologjisë, biodiversitetit dhe historisë sonë të lashtë. Përmes këtyre pullave, publiku ka mundësinë të njihet me vlerat e jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore që i ofron Kosova.

Shpella e Kusarit, gjendet pranë fshatit të lashtë Kusar në rajonin e Gjakovës, është pjesë e peizazhit karstik të Malit Pashtrik. E formuar në shkëmbinj gëlqerorë me një histori mijëvjeçare, shpella mbart gjurmë të banimit të hershëm dhe ofron një ambient unik për studiuesit dhe vizitorët.

Shpella “Gryka e Madhe”, e pozicionuar në kilometrin e tetë të Grykës së Rugovës, 60 metra mbi shtratin e Lumëbardhit të Pejës, ofron një pamje imponuese që i ngjan një tempulli natyror. Brenda saj gjenden stalaktite dhe stalagmite të mahnitshme, lumenj e liqene nëntokësore, duke e renditur këtë shpellë ndër më të mëdhatë në Kosovë dhe rajon për nga vlera speleologjike dhe turistike.

Shpella e Hoxhës, mbi fshatin Vrellë të Istogut, në masivin malor të Moknës, përfaqëson një lokalitet arkeologjik me rëndësi të madhe. Ajo ka qenë e banuar që nga parahistoria e deri në kohët moderne. Brendësia e saj ruan fragmente qeramike, gurë të punuar dhe një liqen të brendshëm, që formohet nga pikimi i vazhdueshëm i stalaktiteve.

Shpella e Demës, e cila ndodhet në hyrje të Grykës së Rugovës, pranë Patrikanës së Pejës, shquhet për vlerat e saj historike dhe biologjike. Si lokalitet arkeologjik, kjo shpellë simbolizon lidhjen e përhershme ndërmjet njeriut dhe natyrës, duke ruajtur gjurmë të qëndrueshmërisë njerëzore nëpër shekuj.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

Përmes këtij emisioni të veçantë, Posta e Kosovës synon të promovojë dhe të nxisë vetëdijen për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Kosovës. Pullat postare shërbejnë jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si ambasadorë të vlerave tona kombëtare në botë.

Katër shpella unike të Kosovës në pulla postare