Janevska: Organizimi i testimit të maturës, me sukses

Nesër mbaron viti shkollor 2024/2025. Ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska shprehet e kënaqur nga ky viti shkollor ku janë zbatuar një sërë reformash në fushën e arsimit. Njëherit ajo u shpreh e kënaqur edhe nga organizimi dhe mbarëvajtja e testit të parë të maturës shtetërore duke shpresuar edhe testimi i radhës do të kalojë me më pak parregullsi krahasuar me vitet e kaluara.

“Shumë më pak se vjet, dallimi është evident, ekzistojnë raste individuale ku rreth 10 nxënës janë larguar nga provimi, po aq testator dhe mbikëqyrës janë larguar nga procesi që është dallim drastik krahasuar nga viti i kaluar, që do të thotë se vetëdija dhe thirrjet e tona kanë ndikuar deri tek nxënësit dhe mësimdhënësit. Pres që pasnesër gjithçka që të kalojë sipas rregullave të parapara. Mund të ketë disa raste individuale, mirëpo trendi është i mirë, dhe shpresojë se kështu do të vazhdojë.”, tha ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska.

Me ndryshimet e fundit ligjore në arsimin e mesëm, vitin e ardhshëm parashihen tre lloje të maturave shtetërore. Për herë të parë maturantët e shkollave profesionale, gjimnazistët dhe nxënësit e shkollave artistike do ti nënshtrohen maturës shtetërore të përpiluar pikërisht për ta, për dallim nga vitet e kaluara, ku provimi i maturës ka qenë njëjtë për të gjithë nxënësit.

“Matura shtetërore e gjimnazistëve do të dallohet nga matura shtetërore në shkollat e mesme profesionale që ishte më se e nevojshme dhe logjike dhe që është e drejtë. Na nevojitet një vit para përgatitje, të përgatiten testet, konceptet dhe në ndërkohë miratuam akte nënligjore dhe nga viti i ardhshëm do të zbatohet.”, tha Janevska.

Provimi i dytë ekstern i maturës shtetërore i cili është zgjedhor për nxënësit do të mbahet më 11 qershor. Matura shtetërore realizohet prej vitit 2007 dhe e përfshin afatin e qershorit dhe gushtit. Përjashtim nga kjo bënë viti 2019/20 ku matura nuk u mbajt për shkak të pandemisë me Kovid 19.