Ushtria izraelite tha se kreu dhjetëra sulme të reja gjatë natës së kaluar, duke vënë në shënjestër disa zona në kryeqytetin Teheran të Iranit me më shumë se 60 aeroplanë luftarakë.
Rreth 120 municione u përdorën për t’i kryer këto sulme, në shënjestër të të cilave ishin qendrat e prodhimit të raketave dhe një qendër për hulumtime bërthamore, për të cilën ushtria izraelite tha se ishte e përfshirë në zhvillimin e armëve bërthamore të Iranit, raporton televizioni BBC.
Gjatë natës, ushtria izraelite gjithashtu tha se Irani kishte kryer sulme ndaj Izraelit. Pati raportime për goditje në jug të vendit. Irani nuk i ka komentuar këto sulme.
Të premten në Gjenevë, ministrat e jashtëm të disa shteteve evropiane pritet të takohen me homologun e tyre iranian, Abbas Araghchi, në përpjekje për t’i ulur tensionet mes Izraelit e Iranit.
Nëse takimi zhvillohet sipas planit, këto do të jenë bisedimet e para sy më sy mes Teheranit dhe qeverive perëndimore që nga dita kur Izraeli e sulmoi Iranin para një jave.
Këto bisedime gjithashtu do ta shënonin përfshirjen më domethënëse evropiane në këtë krizë. Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për ta shtyrë për dy javë vendimin për ndërhyrje ushtarake ose jo, u jep diskutimeve në Gjenevë peshë më të madhe.
Para shpërthimit të konfliktit mes Izraelit e Iranit, Shtetet e Bashkuara ishin duke i zhvilluar bisedimet e tyre dypalëshe me Teheranin për të arritur një marrëveshje bërthamore, duke e lënë anash Evropën, e cila kishte luajtur rol jetik në marrëveshjen e vitit 2015, nga e cila ShBA-ja u tërhoq gjatë mandatit të parë të Trumpit.
Ministrat evropianë pritet t’i bëjnë thirrje Iranit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve. Irani thotë se e dëshiron këtë, por jo gjatë kohës sa është ende nën sulme./Nacionale