Kreu i Alternativës, pjesë e VLEN, Zeqirija Ibrahimi i është përgjigjur akuzave të opozitës për diskriminim të shqiptarëve gjatë punësimeve. Ibrahimi thotë se deri në fund të korrikut, do të ketë 2500 punësime apo avancime të shqiptarëve nëpër institucione.
“Së pari akuzonin se nuk bëhet shkolla në Çashkë (si në kohë të tyre) dhe kur ajo u bë, ata heshtin dhe nuk e përmendin më. Pastaj thoshin se do ndalet Kooridori 8 dhe ai kur ai po vazhdon me dinamikë të përshpejtuar, ata nuk e përmendin më. Më tej thoshin se do të anulohet ligji për përdorimin e gjuhës shqipe (të cilën ata e kanë bërë gjuhë të përkthyer) dhe kur as kësaj teme nuk i vjen më rendi, edhe këtë temë e harruan. Pastaj ngriheshin e binin në gjumë duke nxjerrë foto nga kolonat në Bllacë dhe kur u bënë pikat kufitare “One Stop Shop” në Jazhincë e në Bllacë, edhe ato pamje i hoqën nga profilet e tyre. Vazhduan të thonë se ka diskriminim ekonomik te shqiptarët, por kur qeveria vendosi që çdo vit mbi 80 milionë euro të ndajë për komunat shqiptare (disa projekte tashmë po realizohen), mbi 34 milionë euro për Universitetin “Nënë Tereza”, 12% rritje të rrogave, 5000 den rritje të pensioneve etj., edhe për këtë heshtën. Kur nuk kanë më temë tjetër, këto ditë e kanë çështje se “po punësohen maqedonasit dhe jo shqiptarët”. Edhe kjo u zgjat disa ditë. Deri në fund të korrikut do të kemi 2500 punësime dhe avancime të shqiptarëve”, ka shkruar mes tjerash Ibrahimi.