Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar në lidhje me zhvillimet ndërkombëtare, duke shprehur mbështetje të fuqishme për sulmet ajrore kundër kapaciteteve bërthamore të regjimit iranian, dhe duke bërë një krahasim të drejtpërdrejtë me ndërhyrjen ajrore të NATO-s në Kosovë më 1999.
“Në mars të vitit 1999, Amerika dhe aleatët e saj ndalën një regjim gjenocidal, ai i Millosheviqit, i cili në atë kohë mbështetej edhe nga regjimi iranian në planet për zhdukjen e popullit shqiptar në Kosovë. Sot, sërish, Amerika po vepron për paqe dhe siguri, kësaj here ndaj kërcënimit bërthamor të regjimit të Teheranit”, deklaroi Haradinaj.
Ai kujtoi se ndërhyrja ajrore e udhëhequr nga SHBA-të dhe NATO mbi caqet ushtarake serbe shpëtoi popullin shqiptar të Kosovës nga gjenocidi, dhe sipas tij, veprime të ngjashme janë të domosdoshme sot për të parandaluar kërcënime globale.
“Mbështesim fuqishëm angazhimin e Presidentit Trump dhe të Amerikës për paqe dhe siguri në botë”, thuhet në reagimin e Haradinajt.