Festivali Ndërkombëtar i Arkitekturës “Bread and Heart” në Tiranë, Rama: Shqipëria sot prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Europa bashkë

150 arkitektë ndërkombëtarë nga Europa, Azia, Amerika Veriore e Jugore, të cilët punojnë në Shqipëri, së bashku me partnerët janë mbledhur në Tiranë për Festivalin “Bread & Heart”.

I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili gjatë fjalës së tij në eventin historik, tha se se Shqipëria sot po prodhon më shumë arkitekturë se gjithë Europa bashkë. Sot në Shqipëri tha Rama, arkitektët ndërkombëtarë vijnë në numra që pak vite më parë ishte e paimagjinueshme.

“Një Shqipëri që sot prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Europa bashkë. Shqipëria është kthyer në një port shprese, arkitektët ndërkombëtarë vijnë në numra që vetëm pak vite më parë nuk do t’i kishim imagjinuar. Tirana sot nuk është më vetëm një skenë, është katalizator. Projektet që lindin në Shqipëri nuk janë mediokrite lokale apo klishe globale, janë të gjalla, rezonuese me vlerë.

Në një botë të fiksuar me ikona, ajo çfarë shpaloset këtu, diçka që krijohet si e përbashkët, por si asgjë tjetër më parë. Çfarë është më e rëndësishme guxon të ndërtojë mes asaj që është vërtetë e përbashkët, si një akt krijimi. Ky festival s’ka të bëjë me arkitekturën si profesion, por si aktin më të afërt njerëzor, të krijosh hapësira ku jeta mund të rritet dhe të mbrojë veten”-u shpreh Rama.