Erëza që të gjithë përdorim mund të dëmtojë efektivitetin e ilaçeve, ja çfarë duhet të dini

Një studim i ri ka zbuluar se një erëz që shumë njerëz e përdorin në kuzhinë mund të ndërhyjë në mënyrën se si trupi përpunon ilaçet.

Shkencëtarët në Universitetin e Misisipit kanë vërejtur se cinnamaldehida, përbërësi kryesor i kanellës, mund të aktivizojë receptorët që përshpejtojnë zbërthimin e disa ilaçeve, duke ulur kështu efektivitetin e tyre.

Ndërsa një sasi e vogël kanellë në kafenë e mëngjesit nuk paraqet problem, studimi paralajmëron se dozat e larta mund të jenë të rrezikshme.

Probleme shëndetësore mund të ndodhin nëse konsumohen suplemente në sasi të tepërta pa njohuri dhe pa këshillën e një profesionisti shëndetësor ose mjeku që përshkroi ilaçin.

Konsumi i tepruar i suplementeve mund të shkaktojë nxjerrje më të shpejtë të ilaçeve nga trupi, duke ulur efektivitetin e tyre.

Sipas studiuesve, vaji i kanellës nuk paraqet rreziqe të mëdha, por lëvorja e kanellës mund të shkaktojë probleme, veçanërisht një lloj më i lirë i saj, i njohur si kanella Cassia, e cila përmban kumarinën.

Kanella e bluar që gjendet në shumicën e supermarketeve zakonisht vjen nga lëvorja e kanellës Cassia, prandaj rëndësia e konsultimit me mjekun në rast të përdorimit të sasive të larta të kësaj erëze është e domosdoshme.

Kanella është vlerësuar prej kohësh për përfitimet e saj të mundshme shëndetësore, si rregullimi i nivelit të sheqerit në gjak dhe vetitë anti-inflamatore, të cilat mund të ndihmojnë në parandalimin e diabetit. Megjithatë, hulumtimet e reja nxjerrin në pah rëndësinë e konsumit të moderuar.