Elon Musk “hedh bombën”: Donald Trump është në dokumentet e Epstein

„Është koha të hidhet një bombë e vërtetë: Donald Trump ndodhet në dokumentet e Epstein, kjo është arsyeja e vërtetë pse ende nuk janë publikuar. Kalofsh një ditë të mirë, DJT!“

Kështu deklaroi miliarderi Elon Musk, një nga njerëzit më të pasur në botë, në profilin e tij në platformën X (ish-Twitter). “Bomba” e tij dhe akuza serioze vjen në një kohë kur Musk ka ndërprerë bashkëpunimin me presidentin amerikan Donald Trump dhe po largohet nga mbështetja ndaj tij.

Trump e kritikon Musk, ky i fundit përgjigjet me dosjen Epstein

Sot, më 5 qershor, Donald Trump e kritikoi ashpër Musk-un, duke u shprehur se është i zhgënjyer që ai kundërshton ligjin për buxhetin amerikan. Në reagim, Musk publikoi deklaratën shpërthyese që e lidh Trump-in me rastin e Jeffrey Epstein – financieri i ndjerë dhe i dënuar për trafik seksual me vajza të mitura.

Trump dhe Epstein ishin miq – fakt i pamohueshëm

Ish-presidenti amerikan është përmendur më parë në dokumentet gjyqësore që lidhen me Jeffrey Epstein dhe partneren e tij, Ghislaine Maxwell. Zëdhënësi i Trump-it, Stephen Cheung, më 4 janar deklaroi se të gjitha akuzat për lidhjen e Trump me Epstein “janë hedhur poshtë plotësisht”.

Por faktet flasin ndryshe: Trump dhe Epstein njiheshin prej vitesh. Në vitin 2002, Trump kishte deklaruar se e njihte Epstein-in prej 15 vitesh dhe e quante “njeri fantastik”.

Ai kishte fluturuar disa herë me avionin privat të Epstein, por pas arrestimit të këtij të fundit më 2019, Trump u distancua duke thënë se nuk kishte folur me të prej vitesh.

Çfarë deklaroi viktima?

Një nga viktimat e Epstein, Johanna Sjoberg, në dëshminë e saj ka thënë se ajo dhe Epstein kishin udhëtuar nga Florida në Atlantic City dhe kishin shkuar në një nga kazinotë e Trump. Sipas saj:

“Jeffrey tha: ‘Shkëlqyeshëm, do ta thërrasim Trump-in dhe do të shkojmë në kazino’.”

Sjoberg tregoi se gjatë vizitës në kazino, një tjetër vajzë – Virginia Giuffre – nuk ishte lejuar të hynte pasi ishte e mitur. Kur u pyet nëse ndonjëherë i kishte bërë masazh Trump-it, Sjoberg u përgjigj dy herë me “jo”.