Dorëhiqet Drejtoresha e Qendrës për Kulturë në Gostivar

Drejtoresha e Qendrës për Kulturë në Gostivar Farije Adili dha dorëheqjen nga detyra.

Ja postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë të Gostivarit,

Sot, me bindje të thellë dhe ndjenjë të pastër përgjegjësie, dua t’ju njoftoj se kam dorëzuar zyrtarisht dorëheqjen time pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, duke përmbyllur një periudhë të rëndësishme të jetës sime si drejtoreshë e Qendrës për Kulturë në Gostivar.

Gjatë kësaj kohe, këtë detyrë nuk e kam parë si thjesht një funksion administrativ, por si mision dhe përkushtim ndaj kulturës dhe qytetarëve tanë. Kam synuar që Qendra për Kulturë të jetë një institucion i hapur, transparent, i drejtë dhe gjithëpërfshirës – larg ndikimeve politike dhe gjithmonë në shërbim të përbashkët.

Jam krenare për punën e palodhur, për aktivitetet e shumta kulturore që sollëm së bashku dhe për respektin që u kultivua mes institucionit dhe qytetarëve. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar ndërtime dhe përmirësime të rëndësishme brenda institucionit, të cilat i dhanë Qendrës për Kulturë një funksionalitet dhe pamje më dinjitoze, duke e bërë një vend më të denjë për zhvillimin e jetës kulturore të qytetit.

Veçanërisht, më mbush me kënaqësi të veçantë fakti që Biblioteka e Qytetit sot përfaqëson një standard të ri, me hapësira moderne dhe një fond të pasur librash, të aksesueshëm për të gjithë – një hapësirë që ngjan me bibliotekat bashkëkohore dhe që i shërben me përkushtim dijes dhe lexuesve të çdo moshe.

Nëse rrugës ka pasur lëshime, i pranoj me përulësi. Por gjithçka që është bërë – është bërë me ndërgjegje të pastër, me dashuri të sinqertë dhe me bindjen se çdo hap kishte për qëllim të mirën e Gostivarit dhe të gjithë qytetarëve të tij.
Në këtë rrugëtim, falënderoj kolegët e mi të nderuar, për bashkëpunimin dhe përkushtimin e tyre,Familjen time për mbështetjen,dhe shpreh mirënjohje të veçantë për liderin z. Arben Taravari ,për besimin dhe lirinë që më dha për të vepruar me dinjitet profesional.

Po ashtu, më lejoni të falënderoj Kryetarin e Komunës së Gostivarit, z. Valbon Limani,për mbështetjen e tij morale dhe për pjesëmarrjen e vazhdueshme në çdo aktivitet kulturor të rëndësishëm, pa dallim nacionaliteti. Prania dhe fjala e tij në çdo ngjarje ka qenë një shtysë dhe motivim i fortë për vazhdimësinë tonë institucionale dhe për ndërtimin e një kulture të përbashkët.

Largohem nga kjo pozitë me dinjitet, me krenari dhe me dashurinë e pandryshuar për kulturën, që do të mbetet gjithmonë pjesë e jetës dhe misionit tim personal.

Me përulësi dhe mirënjohje të thellë,
Farije Adili