Të paktën 26 persona, përfshirë njerëz që kërkonin ndihme, janë vrarë në sulmet më të fundit izraelite mbi Gazën.
Sulmet vijnë ndërkohë që palestinezët e dëshpëruar, nën bllokadën izraelite, vazhdojnë të presin në pikat e shpërndarjes së ushqimeve mes një krize të vazhdueshme urie. Ndër ata që u vranë gjatë sulmeve izraelite në enklavën e rrethuar ditën e shtunë, 11 ishin përfitues ndihmash në qendrat e shpërndarjes të drejtuara nga Gaza Humanitarian Foundation (GHF), e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli – një fondacion që Kombet e Bashkuara e kanë dënuar për “armatosjen e ndihmave humanitare”.
Ndërkohë, agjencia e lajmeve Wafa raportoi se të paktën tre persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga një sulm me dron izraelit që kishte në shënjestër palestinezë të zhvendosur në al-Mawasi, në jug të Gazës.
Raporti thekson se sulmi goditi një çadër që strehonte anëtarë të familjes Shurrab, në një zonë që më parë ishte shpallur nga ushtria izraelite si “zonë e sigurt”.
Në 48 orët e fundit, të paktën 202 persona janë vrarë – përfshirë edhe katër trupa të gjetur pas sulmeve – dhe 1,037 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në të gjithë Gazën, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Që prej fillimit të luftës së Izraelit në Gaza, në tetor të vitit 2023, të paktën 55,908 persona janë vrarë dhe 131,138 janë plagosur nga sulmet izraelite.
Sulmet ndaj pikave të ndihmës humanitare
Ditët e fundit, sulmet izraelite ndaj vendeve të shpërndarjes së ndihmave në Gaza janë intensifikuar, ndërkohë që mijëra palestinezë grumbullohen çdo ditë me shpresën për të marrë racionet ushqimore, pas një bllokade dy-mujore të ndihmave.
Të shtunën, tre persona u vranë në një qendër të GHF në Khan Younis pasi forcat izraelite hapën zjarr. Disa të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spitale.
Omar al-Hobi, një palestinez i zhvendosur në Khan Younis, i tha Al Jazeera nga spitali se të shkosh në ato vende do të thotë të “hyrsh në pikën e vdekjes”.
“E quaj pika e vdekjes. Tanku është përpara nesh, mitralozi është përpara nesh, dhe droni quadcopter është mbi ne. Ka ushtarë në tokë me snajperë. Kushdo që lëviz para kohës, qëllohet, dhe në momentin që tanku tërhiqet, ne fillojmë të vrapojmë”, – tha al-Hobi.
Izraeli pretendon se sulmet në pikat e ndihmave kanë për qëllim kontrollin e turmave, por dëshmitarët dhe organizatat humanitare thonë se shumë nga të shtënat kanë ndodhur pa provokim, duke shkaktuar qindra viktima.
Kryqi i Kuq tha të enjten se “shumica dërrmuese” e pacientëve që mbërritën në spitalin e tij fushor në enklavë, që nga fillimi i shpërndarjes nga GHF në fund të muajit të kaluar, raportuan se ishin plagosur teksa përpiqeshin të merrnin ndihma ose pranë pikave të shpërndarjes.
Ndërkohë, Wafa, duke cituar Autoritetin Rregullator të Telekomunikacionit në Rripin e Gazës, raporton për një ndërprerje të shërbimeve të internetit dhe telefonisë fikse që prek qeveritë vendore të Gazës, përfshirë qytetin e Gazës dhe pjesën veriore të saj.
Aktualisht, ka një ndërprerje të vazhdueshme në zonat jugore dhe qendrore të Rripit të Gazës, që ka zgjatur më shumë se tre ditë./Al Jazeera