Çfarë rrezikon Kosova në mungesë të institucioneve të reja?

Kosova po e vuan edhe politikisht, edhe financiarisht, sagën për konstituimin e Kuvendit, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Më 26 qershor, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim që seanca konstituive të përfundojë brenda 30 ditësh. Partitë kanë dalë menjëherë me interpretimet e tyre sa i përket votimit të fshehtë për kandidaten për kryeparlamentare.

Në mungesë të ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare me Bankën Botërore, Kosova është duke rrezikuar humbjen e 230 milionë eurove.

Një pjesë e marrëveshjeve, në vlerë të 130 milionë eurove, janë zvarritur prej vitit 2024, ndërsa tjerat, në vlerë të 100 milionë eurove, janë ujdi të reja.

Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se disa prej këtyre mjeteve i janë ndarë Kosovës në formë granti – pra pa kthim.

“Këto marrëveshje kanë të bëjnë me përkrahjen në tranzicionin e gjelbër, në rritjen e konkurrueshmërisë, po ashtu për të bërë një riaktivizim të sistemit informativ shëndetësor, projekte që kanë të bëjnë me edukimin në fëmijëri të hershme”.

Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen në Kosovë me dy të tretat e votave të deputetëve.

Një tjetër projektligj shumë i rëndësishëm ka të bëjë me mjetet që mund t’i përfitojë Kosova, përmes atij që njihet si Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian (BE).

Nga fondi prej 6 miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovës i kanë rënë hise rreth 900 milionë – një pjesë në formë granti, dhe një formë si kredi.

Nëse analizohet për kokë banori, Kosova është përfituesja më e madhe e këtyre mjeteve.

Për dallim prej saj, disa vende fqinje tashmë i kanë pranuar 7 për qind të mjeteve si parafinancim, që do të thotë se Kosova do të mund t’i pranonte lehtësisht rreth 61 milionë euro.

Për të paktën 90 milionë euro të ndara nga Banka Botërore, me zero për qind kamatë, alarmin e ka ndezur ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

Ai ka thënë që, nëse marrëveshja nuk ratifikohet deri në shtator, “ekziston rreziku shumë i lartë që këto mjete t’i merren Kosovës dhe t’i jepen një shteti tjetër”.

Edhe fondet tjera mund ta kenë këtë fat. Hasaj beson se presion ka edhe brenda vetë Bankës Botërore.

“Menaxherët e Bankës Botërore duhet të kenë një presion që të nisë sa më shpejt zbatimi i tyre [projekteve]. Mos të harrojmë që disa prej këtyre kredive që po i ndahen Kosovës janë me norma tejet tërheqëse, dhe besoj që kërkesa për kredi të tilla është e madhe edhe nga shtetet tjera”.

Augustin Palokaj, gazetar që përcjell politikat e BE-së, thotë për REL-in se, ndonëse disa politikanë kanë deklaruar se ka kohë për pranimin e fondeve të BE-së, ato në fakt janë para të afatizuara për periudhën 2024-2027.

“Nëse vazhdon ky ngërç politik, nëse Kosova vazhdon të mos ketë qeveri deri në pranverën e vitit që vjen, me mundësi për t’i ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare, atëherë mund t’i afrohemi afatit kur mund të humbë një pjesë shumë e madhe e këtyre parave”.

Përveç kësaj, ai rikujton se Kosova vazhdon të jetë nën masa ndëshkuese të BE-së, dhe kështu nuk ka qasje në ndihmën financiare nga paratë e paraanëtarësimit (IPA).

“Ka vende anëtare të BE-së, të cilat thonë se nuk do të kishte kuptim as heqja e masave, përderisa Kosova të mos ketë institucione me të cilat BE-ja do të punonte, pasi janë disa kushte që duhet plotësuar”.

Kriza politike po reflektohet edhe në vonesa për integrimin e Kosovës në struktura ndërkombëtare, pasi Qeveria aktuale në detyrë nuk ka legjitimitet për të marrë vendime të rëndësishme strategjike në emër të Kosovës.

Sipas Palokajt, problemi politik është vërtetuar gjatë vizitës së kryediplomates së BE-së, Kaja Kallas, para disa javësh në Prishtinë.

“Ajo është takuar me liderë të institucioneve të Kosovës, më shumë në cilësinë e përfaqësuesve të partive politike, pasi që janë të vetëdijshëm se në rrethanat ekzistuese nuk mund t’u jepet legjitimet i plotë”.

Në këtë situatë, procesi i dialogut me Serbinë mund të mbetet në vendnumëro, ashtu sikurse synimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pasi në mungesë të institucioneve kompetente, nuk ka vullnet që Gjykatës Kushtetuese t’i dorëzohet për shqyrtim drafti për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe – si kusht për anëtarësim.

“Një qeveri e Kosovës, që atëherë [më 2024] ishte shumë stabile, nuk e ka bërë këtë, prandaj është e paimagjinueshme që këtë tash ta bëjë një qeveri në largim”, thotë Palokaj.

Ndërkohë, shoqëria civile e kundërshton bllokadën e krijuar nga partitë politike, dhe në njërin prej aksioneve të fundit, pjesëtarë të saj pyesnin me pankarta në duar: “Deri kur?”.

Me sa duket, askush nuk e ka një përgjigje…