Britania sanksionon dy ministra izraelitë për shkak të Gazës

Dy ministra të Qeverisë izraelite, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, janë sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar për shkak të deklaratave të tyre për Gazën.

Ben-Gvir, ministër i Sigurisë në ekzekutivin e Benjamin Netanyahut, dhe Smotrich, ministër i Financave, që të dy do të përballen me ndalesë udhëtimi dhe ngrirje të aseteve.

Kjo lëvizje vjen teksa Mbretëria e Bashkuar dhe shtete të tjera perëndimore po kërkojnë të rrisin presionin ndaj Qeverisë izraelite, teksa po vazhdon lufta në Gazë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, tha se ishte “i zemëruar që përfaqësuesit e zgjedhur dhe anëtarët e Qeverisë iu nënshtrohen këtyre masave”.

“E kam diskutuar këtë çështje sot me kryeministrin Netanyahu dhe do të mbajmë një mbledhje të posaçme të Qeverisë javën e ardhshme për të vendosur për përgjigjen tonë ndaj këtij vendimi të papranueshëm”.

Smotrich dhe Ben-Gvir që të dy u përkasin partive të krahut të djathtë që bëjnë pjesë në koalicionin e brishtë qeverisës të Netanyahut.

Që të dy janë kritikuar për shkak të qëndrimit të ashpër që kanë për luftën në Gazë.