Bllokohet qarkullimi në autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova” për shkak të garave çiklistike
Edhe këtë të shtunë, qarkullimi në disa segmente rrugore do të jetë i bllokuar përkohësisht për shkak të garave çiklistike të organizuara nga Federata e Çiklizmit e Kosovës, në kuadër të Kampionatit të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, sot nga ora 09:00 deri në 16:00, do të ketë mbyllje të përkohshme të autostradës “Arbën Xhaferi” në relacionin hyrje/dalja Bibaj – Babush – Lipjan – Prishtinë (Uglar) – Bresje – rruga nacionale N9 deri në Gjergjicë. Po ashtu, do të bllokohet edhe një segment i autostradës “Ibrahim Rugova”, konkretisht Malishevë – Duhël dhe anasjelltas.
Këto segmente rrugore kanë qenë të mbyllura përkohësisht edhe gjatë së premtes, me qëllim të garantimit të sigurisë së garuesve dhe të pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion.
Çiklistët po garojnë në kuadër të aktivitetit më të madh të këtij viti në këtë sport – Kampionatin e Kosovës – që po zhvillohet në disa etapa dhe me pjesëmarrje të garuesve nga gjithë vendi.