Bajram Rexhepi: Me votat e VLEN-it dhe urdhër të VMRO-së, sot në Kuvend, u shfuqizua Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve

“Me votat e VLEN-it dhe urdhër të VMRO-së, sot në Kuvend, u shfuqizua Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, institucioni i vetëm që garantonte zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore. Ky është një akt i turpshëm që godet në themel të drejtën tonë për përfaqësim dhe barazi.
Ky institucion ishte i vetmi mekanizëm ligjor që garantonte zbatimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore dhe kishte fuqi të sanksiononte shkelësit. Me këtë veprim tinzar, shqiptarëve u hiqet një instrument i rëndësishëm për të mbrojtur të drejtën më elementare apo me saktë përdorimin e gjuhës së tyre në shtetin ku jetojnë.
VLEN, në vend se të mbrojë interesin shqiptar, bëhet apologjet i politikave që historikisht kanë përjashtuar gjuhën shqipe nga shteti. Në heshtje dhe me servilizëm, ata i dorëzuan një arritje të fituar me mund, sakrificë dhe vite përpjekje.
Kur Qeveria nuk respekton gjuhën e qytetarëve të vet, ajo humb çdo legjitimitet.
Ne nuk do të heshtim.
#Bashkë do ta rikthejmë dinjitetin e gjuhës shqipe aty ku e ka vendin, në çdo institucion dhe zyrë, madje edhe atje ku më shumë e luftojnë dhe u pengon!” ka shkruar Bajram Rexhepi