12 ndeshje në 5 muaj dhe ëndrra për të luajtur në Botëror pas një viti është gjithnjë e më larg shkaku i lëndimeve që po vazhdojnë ta godasin dhe ta tronditin.
Neymar, 33 vjeç, po mundohet me krejt mënyrat që t’ia dalë ta gjejë vazhdimësinë, së paku me Santosin.
Një klub që e ka ri-përqafuar qe pak kohë dhe që nuk dëshiron assesi që t’ia kthejë shpinën.
Ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Paris Saint-Germainit është nën kontratë me klubin e tij të fëmijërisë deri në fund të muajit dhe nuk e ka vazhduar ende atë, edhe pse ekziston optimizmi.
E ky optimizëm është shtuar pas deklaratave të babait të yllit të “Seleçaos”, i cili e ka konfirmuar prioritetin e djalit të tij për të qëndruar në Brazil.
“Duam që djali ynë të qëndrojë këtu sa më gjatë të jetë e mundur. Po mundohem ta bëj të pamundurën derisa të bëhet pjesë e këtij rikonstruktimi të klubit. Unë bëra që biri im të largohej nga Arabia Saudite për dy ditë dhe e solla këtu, nuk e di se përse keni aq shumë nxitim. Dua që ai të mbetet këtu. Santosi ia ka hapur dyert Neymarit për t’u rikthyer dhe për ta rimarrë veten. E dija se i duhej të luante, që kishte nevojë për minuta, që do të kishte tërheqje të lehta. E dinim se do të ndodhnin. I njohim ëndrrat e tij, e dimë se ku dëshiron të arrijë. Neymar jeton këtu, është i lumtur, afër miqve dhe familjes së tij. Santosi është ambienti ideal për të”, deklaroi babai i Neymarit.
Kohëve të fundit spekulohej për një rikthim të mundshëm të Neymarit në Evropë, por duket se ai do t’i kalojë vitet e fundit të karrierës në atdhe.