Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë për dakordimin e fundit ndërmjet Kryeministrit Hristijan Mickoski dhe partnerëve të koalicionit VLEN që projektligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat të dërgohet drejtpërdrejt në Komisionin e Venecias, pa u miratuar paraprakisht në Kuvend.
Kryeministri Mickoski ka bërë të qartë se projektligji do të kalojë në Qeveri, por do të dërgohet për vlerësim ndërkombëtar përpara se të hyjë në procedurë parlamentare. Me këtë qëndrim janë pajtuar edhe liderët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, duke e justifikuar vendimin me nevojën për shmangien e problemeve si ato me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve në Gjykatën Kushtetuese.
Por Aleanca për Shqiptarët paralajmëron se kjo qasje është jo vetëm e gabuar, por edhe e rrezikshme.
Rreziku i boshllëkut ligjor dhe precedentit të rrezikshëm
Kjo qasje bie ndesh me përvojën e hidhur që vendi ka pasur me Ligjin për Gjuhët. Ky ligj u dërgua në Komisionin e Venecias më 22 janar 2019 dhe opinioni miqësor u kthye vetëm më 4 maj 2025 – plot gjashtë vjet pritje.
Nëse ndiqet i njëjti ritëm edhe për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë, vendi rrezikon të qëndrojë pa mbulesë juridike për punësimet në administratën publike dhe shtetërore për një periudhë të papranueshme.
Për më tepër, praktika që një projektligj të dërgohet në Komisionin e Venecias para miratimit në Kuvend është jo vetëm jokushtetuese, por hap rrugë për zvarritje, pazare të brendshme dhe bllokim të reformave jetike për barazinë ndëretnike.
ads.tetovasot.com
ads.tetovasot.com
ads.tetovasot.com
Pasojat janë të dukshme: diskriminim në punësime dhe keqpërdorim institucional.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shfuqizuar sistemin e balancerit, vendi ka hyrë në një boshllëk të rrezikshëm ligjor. Kjo situatë po keqpërdoret rëndë: në konkurset e fundit për punësime në administratë, raporti i pranimeve është 20 me 0 në dëm të qytetarëve shqiptarë.
Këto janë shkelje flagrante që rrezikojnë rëndë harmoninë ndëretnike në vend.
Kërkesa jonë është e qartë dhe e prerë:
Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat duhet të miratohet fillimisht në Kuvend, si akt i sovranitetit ligjvënës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe vetëm pas kësaj të dërgohet për mendim në Komisionin e Venecias.
Vetëm kështu mund të shmangim vonesat e pafundme procedurale, të garantojmë mbrojtjen reale të barazisë qytetare dhe të ndalojmë keqpërdorimin e punësimeve si instrument politik dhe etnik.
Aleanca për Shqiptarët do të mbetet e palëkundur në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve shqiptarë dhe të çdo komuniteti tjetër në vend, duke mos lejuar që mekanizmat ndërkombëtarë të përdoren si justifikim për bllokimin e barazisë reale në shtet.
Aleanca për Shqiptarët