ASH: Regjistrimi i 2026-s, një nisëm e qeverisë monoetnike për masakër demografike ndaj shqiptarëve

Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim të thellë dhe kundërshtim të vendosur ndaj paralajmërimit të ministrit për Transformim Digjital, Stefan Andonovski, për realizimin e një regjistrimi digjital të popullsisë në vitin 2026 – pesë vite para afatit të rregullt që është caktuar për vitin 2031.

Ky paralajmërim, në kushtet aktuale politike, nuk është thjesht një veprim teknik, por një hap i rrezikshëm dhe i qëllimshëm, që vjen në funksion të deformimit të përqindjes reale të shqiptarëve dhe në kundërshtim flagrant me standardet ndërkombëtare statistikore dhe udhëzimet e Eurostat-it, të cilat përcaktojnë që regjistrimet e popullsisë duhet të realizohen në dekada të plota – përkatësisht në vitet që përfundojnë me “0” ose “1” (siç është 2030 apo 2031).

Kjo tentativë, e ndërmarrë nga një qeveri monoetnike pa legjitimitet politik shqiptar, është tendencioze, e papranueshme dhe provokuese, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që hodhi poshtë ndarjen diskriminuese të popullsisë në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”, një ndarje që kishte vetëm një qëllim: uljen artificiale të përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Përpjekjet për regjistrim të parakohshëm janë sinjal i qartë i një plani të errët të VMRO-DPMNE-së për të riformatuar realitetin demografik dhe për të rrëzuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit, mbi të cilën ndërtohet bashkëjetesa dhe balanca ndëretnike në vend.

Ne i paralajmërojmë publikisht VMRO-DPMNE-në dhe kryeministrin Mickoski se nuk do të lejojmë zbatimin e një regjistrimi të tillë të manipuluar dhe se do të përballen me shqiptarët – me popullin, me organizatat dhe me forcat e vërteta demokratike, jo me përfaqësuesit e VLEN-it që po e justifikojnë çdo hap të kësaj qeverie antishqiptare me kokën në thes. Shuplaka e parë politike do të vijë në muajin tetor, në zgjedhjet që do të dëshmojnë fundin e mashtrimit dhe rrëzimin e piramidës artificiale të VLEN-it. Atëherë do të nisë beteja e madhe për mbrojtjen e së vërtetës statistikore, të drejtës për përfaqësim dhe për të ardhmen euroatlantike të vendit.

Ne deklarojmë qartë dhe prerë se regjistrimi i popullsisë nuk do të ndodhë sipas vullnetit të Mickoskit, as sipas agjendave të ndikuara nga “Bota Serbe”.
Nuk do të lejojmë manipulim me identitetin, me numrat dhe me të ardhmen e shqiptarëve, dhe çddo përpjekje për regjistrim të parakohshëm është sulm ndaj paqes, bashkëjetesës dhe themeleve të shtetit. Ne i bëjmë thirrje qeverisë që të ndalë çdo hap të mëtejshëm drejt këtij projekti të rrezikshëm dhe të tërhiqet nga planet destabilizuese, që rrezikojnë kohezionin social dhe orientimin strategjik të vendit.

U bëjmë thirrje përfaqësuesve të VLEN-it që të reflektojnë sa nuk është vonë, të rikthehen te populli dhe të mos presin që t’u ndodh populli. Heshtja dhe servilizmi përballë padrejtësive nuk janë zgjidhje – janë bashkëfajësi historike. Aleanca për Shqiptarët do të jetë në krye të frontit qytetar, politik dhe institucional për të mbrojtur të drejtën e shqiptarëve për përfaqësim të drejtë, barazi dhe dinjitet në Maqedoninë e Veriut.

Ne nuk do të lejojmë një masakër demografike!
Shqiptarët nuk janë statistikë që manipulohet – janë themel i këtij shteti dhe aktorë vendimtarë të së ardhmes së tij!