ASH e Ziadin Selës: Kërcënimet ndaj Nevrij Ademit janë alarm serioz për institucionet

Pas denoncimeve për kërcënime të rënda ndaj gazetarit të portalit TetovaSot, Nevrij Ademi, ka reaguar edhe krahu tjetër i Aleancës për Shqiptarët, i udhëhequr nga Ziadin Sela.

Në një deklaratë publike, ASH-ja e Selës e ka quajtur shqetësues faktin që kërcënimet po bëhen ndaj një gazetari, duke theksuar se kjo përbën një alarm serioz për institucionet shtetërore.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

> “Me shqetësim lexuam denoncimin e gazetarit Nevrij Ademi për kërcënime dhe cënime të jetës së tij. Metodat e këtilla janë të papranueshme në asnjë situatë dhe ndaj asnjë qytetari, ndërsa kur bëhet fjalë për gazetarë ato bëhen edhe më shqetësuese dhe një alarm serioz për institucionet. Cënimi i lirisë së shprehjes, punës së mediave dhe gazetarëve është cënim i një prej shtyllave kryesore të demokracisë.”

“Aleanca për Shqiptarët kërkon nga institucionet kompetente të veprojnë dhe të ndëshkojnë veprimtaritë e këtilla. Të gjithë atyre që u sulen gazetarëve, u bëjmë thirrje të heqin dorë nga këto skenare, të papranueshme dhe të patolerueshme për shoqërinë tonë.”

Kjo është një ndër shumë reagimet politike që kanë ardhur pas publikimit të kërcënimeve ndaj gazetarit, duke përfshirë edhe reagime nga Bujar Osmani, Faton Ahmeti, Arbër Ademi, dhe dy Aleancat.