As deklarimi i Trumpit nuk ka ndikuar në reflektimin e partive, dështon sërish konstituimi i Kuvendit

Paralajmërimi i presidentit të ShBA-së, Donald Trump, se do të riangazhohet në dialogun Kosovë – Serbi nuk ka ndikuar fare në qëndrimet e partive politike për konstituimin e Kuvendit.

Kjo pasi edhe përpjekja e 33-të e deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk ka rezultuar me sukses. Lëvizja Vetëvendosje as sot nuk ka hequr dorë nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.

Kësaj radhe, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 51 deputetë, kudër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.

Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të enjten në orën 11:00.

Duket që partitë politike përsëri nuk e kanë marrë seriozisht paralajmërimin e presidentit amerikan se procesi i dialogut Kosovë – Serbi është në vëmendjen e tij.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, te dielën, përmes një postimi në rrjetin e vet “Truth” ka shkruar se “do ta zgjidhi” çështjen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përplaseshin fort, siç kanë bërë për shumë dekada, dhe ky konflikt jetëgjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndala (Biden ka dëmtuar perspektivën afatgjate me disa vendime të marra, por unë do ta zgjidhi, sërish)”, ka shkruar Trump.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

Para fillimit të seancës së sotme, deputetët vetëm e kanë komentuar deklaratën e Trumpit. Kurse, në seancë ata kanë votuar ashtu sic kanë bërë edhe 32 herë më parë.

Në fillim të muajit maj, VV-ja ka propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar 6 herë rresht t`i marrë votat e nevojshme.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.

Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.

VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.