Arrestimet nga Serbia, Osmani: Rrezikojnë përpjekjet në dialog, të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht

Presidentja Vjosa Osmani tha se arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga Serbia gjatë kalimit të kufirit janë veprime shoviniste të ngjashme me ato të viteve 90-ta, duke shtuar se i tillë ishte edhe arrestimi i fundit i ish-policit të Arbnor Spahiut.

Osmani kërkoi përgjegjësi ndërkombëtare për Serbinë, ndërsa tha se veprimet e tilla i rrezikojnë përpjekjet për dialog.

‘Arrestimet e qytetarëve tanë nga autoritetet serbe gjatë kalimit të kufirit janë veprime arbitrare, të ngjashme me ato shoviniste të viteve ’90. Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane. Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës. I tillë është edhe arrestimi i qytetarit të Kosovës, Arbnor Spahiu, mbi baza dhe akuza tërësisht të rreme. Ky akt nuk ka të bëjë me sundimin e ligjit, por me vazhdimësinë e praktikave të vjetra të një regjimi që refuzon të përballet me të kaluarën dhe që keqpërdor ligjin për të kërcënuar qytetarët tanë”, ka shkruar Osmani.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

“Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare. Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve”.

Osmani përsëriti se ka kontakte të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd dhe se ka kërkuar edhe “reagimin e fuqishëm” të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, “në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen”.

Pas Ministrisë së Jashtme edhe Osmani ka bërë thirrje që të shmanget kalimi nëpër Serbi nga qytetarët e Kosovës.

“Njëkohësisht, përsëris thirrjen drejtuar qytetarëve tanë që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti”.