Andonovski: Tërhiqni menjëherë paratë nga llogaritë për baste online, do të ndalohen 173 faqe interneti

Do të ndalohen 173 faqe të huaja interneti për baste. Ministria e Teknologjisë Digjitale ka dorëzuar kërkesë në Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE) për ndalimin e ofruesve të rinj të paligjshëm të lojërave të fatit online.

Procedura udhëhiqet sipas nenit 114 të Ligjit për Komunikime Elektronike. Faqet ndalohen sepse nuk kanë licenca në shtet, nuk paguajnë tatim për bastet dhe as qytetarët nuk paguajnë tatim për fitimet.

Ministri i Teknologjisë Digjitale, Stefan Andonovski, u bën thirrje qytetarëve të tërheqin paratë sepse pas disa ditësh faqet do të ndalohen nga operatorët e telekomunikacionit.

“Bëhet fjalë për vepra penale në të cilat qytetarët kanë marrë pjesë me vetëdije, në përputhje me Ligjin për Lojërat e Fatit. Qytetarët duhet që para se të ndalohen faqet të tërheqin fondet e tyre. Përndryshe, përmes kontaktit me email me ofruesit specifikë të paligjshëm, duhet t’i kërkojnë fondet e tyre. Apeloj te lojtarët e deritanishëm që sa më shpejt të tërheqin të gjitha mjetet e depozituara dhe të mos bien pre e email-eve të rreme dhe manipulues që i shtyjnë të përdorin këto faqe të paligjshme në mënyrë të pasigurt dhe të pambrojtur”, tha ministri Andonovski.

ads.tetovasot.com

ads.tetovasot.com

Kjo është seria e dytë e ndalimit të faqeve online për baste. Në maj të këtij viti, me urdhër të ministrisë u ndaluan 53 faqe të tilla bastesh.

“Në serinë e dytë bëhet fjalë për 173 faqe dhe për to urdhri është dërguar në AKE. Sipas Ligjit për Komunikime Elektronike, AKE brenda 5 ditëve i dërgon te operatorët faqet që duhet të ndalohen menjëherë dhe zakonisht atyre u duhen 3 deri në 4 ditë për ta bërë këtë,” shtoi Andonovski.

Ndërkaq, në procedurë qeveritare Ligji i ri për lojërat e fatit me të cilin pritet që numri i klubeve që organizojnë lojëra fati të zvogëlohet.

Kujtojmë se kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” duhej të mbyllej në një prej seancave të Qeverisë në shtator të vitit 2024, kjo sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Por, tetë muaj nga ky premtim, kjo kompani vazhdon të funksionojë normalisht dhe pa asnjë pengesë. Të pyetur në shkurt të këtij viti nga Portalb.mk, Qeveria thotë se është proces kompleks dhe se kërkon analizë të detajuar pa specifikuar nëse do të mbyllet.

Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. “MegaWin” është kompania e vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut.