Andonovski: Çdo fillim është i vështirë. E trashëguam gjendjen duke filluar nga minusi – nga kaosi

Në emisionin e djeshëm “Vetëm e vërteta” në televizionin Kanal 5, mysafir ishte ministri për transformim digjital, Stefan Andonovski. Me rastin e njëvjetorit të Qeverisë së re, ai foli për fillimet dhe sfidat me të cilat Qeveria është përballur në vitin e parë të mandatit.

“Trashëguam një situatë të rëndë. Shumë më të rëndë sesa dukej në pamje të parë. Një sistem i rrënuar në të cilin askush nuk kishte besim, një sistem i kalbur nga brenda, dhe cilëndo anë që të hapje, shfaqeshin mangësi sistemore që për një kohë të gjatë ishin lënë anash,” theksoi Andonovski.

Sipas tij, në çdo pore të shoqërisë, në institucione dhe ministri sapo të mendonit se po fillonit ta përmirësonit situatën, hapej një problem i ri që ishte lënë pas dore nga pushteti i kaluar. Ai theksoi se Qeveria nuk ka filluar nga zero, por nga minusi.

Në lidhje me marrëveshjet strategjike, Andonovski sqaroi se marrëveshja me Mbretërinë e Bashkuar nuk është një marrëveshje ku, si më parë, parapaguheshin 300-400 milionë euro pa pasur realizim në praktikë. Kjo marrëveshje, sipas tij, është para së gjithash strategjike, e më pas edhe ekonomike.

“Në thelb, është një marrëveshje për bashkëpunim strategjik mes Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, që nënkupton investime në projekte brenda vendit dhe janë listuar pesë fusha ku do të ketë investime. Një pjesë e këtyre investimeve ka të bëjë edhe me sigurinë kibernetike,” sqaroi Andonovski dhe shtoi:
“Në marrëveshje thuhet se Mbretëria e Bashkuar, si partneri ynë, na hap dyert për këto pesë fusha. Dhe në këto pesë fusha, së bashku mund të ndërtojmë përmes dialogut teknik atë që i duhet shtetit,” deklaroi ai prerazi.

Ministri, gjatë pjesëmarrjes së tij, u ndal edhe tek fusha e tij, ajo e digjitalizimit, ku theksoi se janë ndërmarrë hapa seriozë gjatë këtij viti.

“Mendoj se po përjetojmë ndryshime të rëndësishme në aspektin e digjitalizimit: 120 shërbime të reja digjitale, dhe të gjitha shërbimet si certifikata për mosdënim, evidencat penale, kundërvajtëse dhe kriminale janë të disponueshme në portalin kombëtar. Certifikata nga regjistri i martesave gjithashtu është i disponueshëm në formë elektronike, dhe dëshmia e shtetësisë mund të merret po ashtu në mënyrë elektronike. Me ndryshimet ligjore, këto dokumente, nëse i shkarkoni nga shtëpia dhe i printoni, mund të përdoren në qarkullimin juridik,” njoftoi Andonovski.

Ai shprehu mirëkuptim për qytetarët që duan që gjithçka të ndodhë shpejt dhe menjëherë, por theksoi se këta hapa, ndonëse mund të duken të vegjël, janë të mëdhenj për zhvillimin në fushën e transformimit digjital.