Aktgjykimi i Kushtetueses në “lojë”, shtyhet seanca shkaku i takimit të Kurtit me liderë të partive (VIDEO)
Kanë përfunduar konsultimet e përfaqësuesve të partive politike në Kuvendin e Kosovës.
Ata u ftuan nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, para se të nis seanca e 38-të në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, njofton Klankosova.tv
Sot do të regjistrohet epizodi i 38-të në përpjekje për ta funksionalizuar parlamentin.
Kjo seancë mbahet një ditë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që solli 30 ditshin si afat kohor për të obliguar deputetët e betuar të Kuvendit të Kosovës që të bëjnë konstituimin dhe zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të tij.
Edhe të mërkurën dështoi seanca në përpjekjen e 37-të për ta konstituar Kuvendin e Kosovës. E njëjta, si ato të mëhershmet dështoi me të njëjtën arsye, mosvotimi i komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kreut të Kuvendit të Kosovës, njofton Klankosova.tv.
Lëvizja Vetëvendosje po insiston me kandidaten e njëjtë për shefe të parlamentit, Albulena Haxhiun.
12:06 – Gruda për aktgjykimin e Gjykatës: Seancat dhe votimi i fshehtë ishin në shkelje të Kushtetutës
Deputeti i betuar i Partisë Demokratike të Kosovës , Përparim Gruda ka folur në lidhje m aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se në aty precizohet që seancat që janë mbajtur kanë qenë në shkelje të Kushtetutës.
“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në mënyrë prezice në dispozitiv të tij thotë se seancat e zhvilluara deri sot kanë qenë në shkelje të Kushtetutës, këto seanca deri sot ju e dini që i ka drejtuar Avni Dehari, Lëvizja Vetëvendosje”, tha ai.
Gruda njëjtë u shpreh edhe për votimin e fshehtë, duke thënë se Kushtetuesja e ka shpallur jokushtetues.
“Mund të konstatojmë se gjithçka që ka ndodhur deri sot Gjykata Kushtetuese e ka konsideruar si shkelje kushtetuese nga ana e Lëvizjes Vetëvendosjes”.
“Për sa i takon votimit të fshehtë, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues dhe e ka sqaruar në mënyrë shumë të saktë”, është shprehur ai./Klankosova.tv
11:56 – Aktgjykimi i Kushtetuesës, Tahiri: I bëjmë thirrje VV-së për reflektim mbi sjelljen në Kuvend
Deputeti i betuar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ka shënuar një momentum të ri.
Duke folur për këtë, ai i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që të reflektojë, siç u shpreh Tahiri, mbi sjelljen e saj në Kuvend.
“Gjykata Kushtetuese ka shënuar një momentum të ri, një momentum mbi të cilin i bëjmë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje të reflektojë mbi sjelljen e saj në Kuvendin e Kosovës sa i përketë konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”.
“Tashmë është e qartë që gjatë kësaj periudhe në një mënyrë apo në një tjetër është abuzuar me rregullat parlamentare nga kryesuesi i kësaj seancë, duke na imponuar vendimin në mënyrë të jashtëligjshme, në mënyrë kundërkushtetuese një votim sa i përketë komisionit për votim të fshehur”.
“Konsiderojmë dhe shpresojmë që tashmë Lëvizja Vetëvendosje do të reflektojë dhe së bashku do të arrijmë në një kompromis që do ta nxjerrim vendin nga kjo situatë e krijuar e që në fakt ishte edhe një angazhim i madh i Lëvizjes Vetëvendosje gjatë kësaj periudhe që të mbesin në propozimet e tyre”, u shpreh tutje ai./Klankosova.tv
11:50 – Bajrami: LDK do të marrë pjesë në takimin e nesërm
Deputetja e betuar e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka konfirmuar se partia e saj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili pritet të mbahet të shtunën.
Pavarësisht kritikave për mungesën e bashkëpunimit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, Bajrami tha se LDK do të jetë e pranishme në takim, njofton Klankosova.tv.
“LDK do të marrë pjesë nesër në takim, pavarësisht mungesës së bashkëpunimit nga VV,” deklaroi ajo.
Ajo rikujtoi se vetë Kurti nuk kishte marrë pjesë në takimin konsultativ të mbajtur pak para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, ku ishin të pranishëm përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare.
“Kurti nuk e mori mundin të marrë pjesë në takimin konsultativ me liderët e partive. Kjo flet shumë për gatishmërinë e tij për bashkëpunim,”, theksoi Bajrami.
11:36 Shtyhet seanca, shkak takimi i ftuar nga Kurti
Seanca e sotme për konstituimin e Kuvendit është shtyrë, për shkak të takimit të nesërm të liderëve politik, të ftuar nga Albin Kurti.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari njoftoi se seanca do të mbahet të dielën nga ora 11:00, përcjell Klankosova.tv.
“Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që e solli dje, sot u mblodhën përfaqësuesit e subjekteve politike për një konsultë paraprake”.
“Të gjithë ishin të mendimin që seanca sot të ndërpritet, pasi të mbahet nesër takimi i liderëve politik që është ftuar nga subjekti më i madh politik, të vazhdojmë me seancën me 29.06.2025 në ora 11:00”, është shprehur Dehari.
11:15 – Dehari fton në konsultim përfaqësuesit e partive politike para nisjes së seancës
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, para se të nis seanca e 38-të në përpjekje për konstituimin e Kuvendit, ka ftuar në konsultim përfaqësuesit e partive politike para nisjes së seancës, transmeton Klankosova.tv
“Para se të fillojmë, pas aktgjykimit të Kushtetueses, e shoh të nevojshme një konsultim paraprak”, tha Dehari.
11:11- Limaj e konfirmon pjesëmarrjen në takimin e thirrur nga Kurti
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka ftuar në takim të përbashkët liderët e partive politike pas aktgjykimit të djeshëm të Gjykatës Kushtetuese.
Pak para seancës së radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në lidhje me takimin e thirrur ka folur kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Ai para gazetarëve e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këtë takim, përcjell Klankosova.tv.
“Sigurisht që po, është në vazhdën e vizionit tim”, u shpreh tutje Limaj.
11:07 – Limaj: Porosia e Gjykatës, konstituimi i Kuvendit është tërësisht vendim i forcave politike
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj sot para seancës ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se porosia e kësaj gjykate ishte që konstituimi i Kuvendit është tërësisht vendim i forcave politike, përcjell Klankosova.tv.
“Porosia e Gjykatës ashtu siç e kam kuptuar është që konstituimi i Kuvendit është tërësisht vendim politik i forcave politike dhe i deputetëve dhe nuk mundemi ne si Gjykatë me ardh dhe me ju zgjidh, me ju bashku e me ndërtu marrëveshje politike, sepse nuk është roli i Gjykatës”.
“Pak a shumë kështu është interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, nëse interpretohet porosia”, është shprehur tutje Limaj.
11:06 – Aktgjykimi i Kushtetueses, Haradinaj: Janë pjekur kushtet për kthimin e votimit të hapur
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar para seancës së 38-të të parlamentare.
Ai ka komentuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që i jep afat 30 ditë deputetëve ta konstituojnë parlamentin.
“Në vendim është edhe kohëzgjatja që janë 30 ditë, deri më tani ka ndodhur e kundërta, në seancë, në parlament, kësaj here është ndërruar praktika e votimit, që është një precedent”
“Është tepër e rëndësishme si diçka e re që ka ndodhë është insistimi i marrjes së votës pa marrëveshje. Ajo që vlerësojmë tani si Aleancë është se janë pjekur kushtet me u kthyer praktika e votimit, e votës së hapur”, shtoi ai, njofton Klankosova.tv
11:01 – Kusari-Lila: Vetëm vizioni i qartë dhe respektimi i Kushtetutës mund të çojnë përpara vendin
Para nisjes së seancës së 38-të të Kuvendit të Kosovës, deputetja e betuar e LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka folur duke theksuar nevojën për qasje konstruktive dhe vizion politik.
“Inati nuk sjell askund asnjë rezultat. Bazimi në inat, në urrejtje, në kundërshti nuk prodhon pozitivitet. Mund të ketë ndonjë efekt afatshkurtër, por vetëm vizioni i qartë, zbatimi i Kushtetutës dhe respektimi i mandateve që i kemi marrë nga qytetarët mund të sjellë rezultat pozitiv për vendin”, deklaroi Kusari-Lila.