Objekti “Lulishte” pjesë e Institutit të Kopshtit për Fëmijë “Gëzimi Fëmijëror” në Gostivar është bërë me fasadë të re. Së bashku me fasadën janë përfshirë edhe punime tjera, sikurse kanalet kulluese të ujit, hyrjet dhe disa punim të tjera kostoja e të cilave arrin në 65 mijë euro.
Momentalisht në objektin e çerdhes “Lulishte” janë të akomoduar 290 fëmijë. Sipërfaqja e fasadës sipas dokumentacionit projektues është 1650 metra katrorë.
Gjatë promovimit të punimeve, kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani u prit nga fëmijët e këtij institucioni si dhe udhëheqësja e tij. Ai me këtë rast theksoi se fasada e re do të reduktojë harxhimet pasi e njëjta ka efikasitet energjetik. Kryetari Limani paralajmëroi se gjatë pushimeve verore përpos në objektet e çerdheve do të punohet edhe në disa shkolla fillore dhe të mesme.
“Ky investim ka përmirësuar dukshëm efikasitetin energjetik të këtij objekti si gjatë muajve të dimrit, por edhe gjatë muajve të verës. Janë bërë edhe punime të tjera në pjesën e jashtme të objektit. E gjithë kjo, ky ndryshim është bërë në bashkëpunim me çerdhen, me mjetet vetanake të çerdhes por edhe me ndihmën e komunës. Shpresojmë se këto investime do të ndihmojnë në mbarëvajtjen më të mirë të procesit këtu në çerdhe. Nuk do të ndalemi këtu, biseduam me drejtoreshën edhe për projekte tjera në të ardhmen që kushtet në të gjitha çerdhet e Gostivarit të jenë dinjitoze, të mira për fëmijët tanë”, deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
ads.tetovasot.com
ads.tetovasot.com
Ndryshe, çerdhet e Gostivarit aktualisht kanë të akomoduar 970 fëmijë, ndërsa 270 prej tyre sivjet janë përcjellur për në klasë të parë. Po aq është edhe numri i fëmijëve në listën e pritjes, ndërsa periudhën në vijim pritet të rregullohen dy hapësira të reja te çerdhja “Dielli”, me çka numri i pritjeve do të reduktohej në minimum. Megjithatë, autoritet u bënë thirrje prindërve që mos e presin momentin e fundit, por të interesohen për regjistrim të fëmijëve që tani që të sigurohet vend për gjithsecilin në shtator.