14 aeroplanë mallrash nga SHBA-ja dhe Gjermania mbërrijnë në Izrael me pajisje ushtarake

Katërmbëdhjetë aeroplanë ushtarakë mallrash nga SHBA-ja dhe Gjermania, të ngarkuar me pajisje dhe furnizime për të mbështetur ushtrinë, kanë mbërritur në Izrael mes konfliktit me Iranin, transmeton Anadolu.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit tha se aeroplanët janë pjesë e urave ajrore dhe detare që ka qenë në funksion që nga fillimi i sulmit izraelit kundër Iranit më 13 qershor.

Ministria izraelite gjithashtu tha se dërgesa është për të mbështetur “gatishmërinë operacionale” të ushtrisë, duke theksuar se ngarkesa është shtesë e më shumë se 800 aeroplanëve ushtarakë të mallrave që kanë mbërritur që nga fillimi i luftës gjenocidale në Rripin e Gazës më 7 tetor të vitit 2023.

Ajo nuk zbuloi natyrën e pajisjeve, ndërsa Washingtoni dhe Berlini deri më tani nuk kanë komentuar mbi këtë çështje.

Armiqësitë filluan të premten e kaluar kur Izraeni nisi sulme ajrorenë disa lokacione në të gjithë Iranin, duke përfshirë objektet ushtarake dhe bërthamore, pas çka Teherani nisi sulme hakmarrëse.

Autoritetet izraelite thanë se të paktën 25 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet iraniane me raketa.

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave iraniane, të paktën 639 persona janë vrarë dhe më shumë se 1.300 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Iran.