Zgjedhjet në Shqipëri: Kanë mbërritur 191.912 zarfe fletëvotimi nga votuesit nga jashtë

Sipas KQZ-së, në total janë 245 935 zarfe të dërguara, nga të cilat janë marrë nga zgjedhësit 227.097 zarfe me fletë votimi. 18.326 zarfe me fletë votimi nuk janë tërhequr nga zgjedhësit të cilët ishin regjistruar në Platformën Elektronike të Votimit për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.

Sipas KQZ-së, 2.502 zarfe janë te kutia e posaçme.

Numrin më të lartë të zarfeve të kthyer me fletëvotimi e mban Italia me 72.800, ndjekur më pas nga Greqia 52.942, më pas Gjermania 20.318.

Sipas qarqeve, kryeson Tirana me 41.748 zarfe, Fieri 25.949, Durrësi 19.699.

Sot, më 11 maj 2025, shtetasit shqiptarë votuan për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, në një proces që pritet të përcaktojë drejtimin politik të vendit për katër vitet e ardhshme.

Për herë të parë në këto zgjedhje parlamentare votuan edhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Procesi i votimit jashtë vendit ka nisur rreth një muaj më parë.

Çdo votë që mbërrin në Shqipëri sot pas orës 19:00, do të konsiderohet e pavlefshme.

Vendi i caktuar për administrimin e këtij procesi është Pallati i Sportit “Feti Borova”, pranë Parkut Olimpik.